Ndërlidhjet

Ramadani: Në Kosovë nuk është arritur imuniteti kolektiv kundër COVID-19


Dy persona duke mbajtur maskën, si mbrojtje nga koronavirusi në Prishtinë.
Dy persona duke mbajtur maskën, si mbrojtje nga koronavirusi në Prishtinë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë të enjten, se pas analizave që janë bërë nga shpërthimi i pandemisë, është vërtetuar se në Kosovë ende nuk është arritur imuniteti kolektiv kundër koronavirusit.

Në një konferencë për media me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Ramadani ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se imunizimi është zgjidhja e vetme për mposhtje të pandemisë.

"Rezultatet tregojnë se vetëm 38.8 përqind e popullatës e ka kaluar koronavirusin, që do të thotë se rezultatet tregojnë qartë se akoma s’është arritur imuniteti kolektiv i kënqashëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale nga COVID-19", ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, pjesa më e madhe të infektuarve aktualisht në Kosovë është nën moshën 50-vjeçare.

Për këtë arsye, ai ka bërë thirrje për vaksinim të moshave të reja dhe ka thënë se autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të fëmijëve nga mosha 12-vjeçare.

"Fuqishëm rekomandojmë vaksinimin e personave mbi 18 vjeç. Tashmë Komiteti për Imunizim në Ministrinë e Shëndetësisë është duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të moshave 12 deri në 15 vjeç me prioritet, sipas indikacioneve shëndetësore”, ka thënë Ramadani.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Në mesin e masave është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.

Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve.

Dëshminë për vaksinim duhet ta kenë edhe personat që punojnë në këto biznese dhe kanë kontakt me njerëz.

Bizneset do të detyrohen që të angazhojnë dikë që të kontrollojë dokumentet e kërkuara për të fituar qasje nëpër organizime.

Personat nën moshën 18-vjeçare nuk janë të detyruar të prezantojnë këtë dëshmi, përveç rasteve kur hyjnë në klube të natës.

Shifrat ditore të të infektuarve

Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë duke regjistruar rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus në javën e fundit.

Vetëm të enjten janë regjistruar dy viktima me koronavirus.

Viktimat janë nga Suhareka dhe Vitia.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 1,009 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 mostrave.

Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç, përkatësisht, 269 persona.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 12 gusht janë shëruar 82 pacientë nga sëmundja COVID-19, derisa raste aktive janë 4,414.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 112,653 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,276 kanë vdekur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG