Përhapja e SARS-CoV-2 ka prodhuar një sërë variantesh, që janë emërtuar sipas alfabetit grek – sistem ky i përdorur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që ka për qëllim të vëzhgojë mutacionet e reja shqetësuese të virusit, që shkaktojnë sëmundjen COVID-19. Disa prej varianteve kanë bërë që virusi të gjejë mënyra më të mira për të infektuar njerëzit apo për të shmangur mbrojtjen që ofrojnë vaksinat.
Shkencëtarët vazhdojnë të jenë të fokusuar në variantin Delta, që tashmë është varianti dominues dhe po përhapet me shpejtësi në mbarë botë, por gjithashtu po gjurojmë edhe variante të tjera, për të parë nëse një ditë ata mund të bëhen dominues, shkruan Reuters.
Varianti Delta
Varianti Delta fillimisht u identifikua në Indi dhe vazhdon të jetë më shqetësuesi. Ky variant po godet popullsinë e pavaksinuar në shumë shtete dhe ka dëshmuar se është në gjendje të infektojë edhe një pjesë të lartë të popullsisë së vaksinuar më shumë se variantet paraprake.
OBSH-ja e ka klasifikuar Deltën si variant shqetësues, që do të thotë se ky variant ka shfaqur aftësinë për transmetueshmëri të lartë, duke shkaktuar sëmundje më të rëndë apo duke ulur përfitimet nga vaksinat dhe trajtimet.
Sipas Shane Crotty, virolog në Institutin për Imunologji La Jolla në San Diego, “superfuqia” e Deltës është transmetueshmëria. Hulumtuesit kinezë kanë gjetur se njerëzit e infektuar me Deltën kanë 1.260 herë më shumë virus në hundët e tyre krahasuar me variantin origjinal të virusit. Disa hulumtime në Shtetet e Bashkuara sugjerojnë se “ngarkesa virale” në njerëzit e vaksinuar, që janë infektuar me variantin Delta është në nivelin e njëjtë me njerëzit e pavaksinuar, por duhen më shumë hulumtime për këtë çështje.
Derisa personat e infektuar me variantin origjinal shfaqnin simptomat pas shtatë ditësh, ata të infektuar me Delta shfaqin simptoma dy apo tre ditë më shpejt, duke i dhënë më pak kohë sistemit imunitar që të përgjigjet dhe të mbrohet.
Delta po ashtu duket se pëson mutacion më shpejt, teksa raportet për shfaqjen e variantit “Delta Plus”, një nënlinjë që bart mutacion shtesë dhe që ka treguar se shmang mbrojtjen imunitare.
Në qershor, India e klasifikoi variantin Delta Plus si variant shqetësues, por as Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të SHBA-së e as OBSH-ja, ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Sipas outbreak.info, një faqe që grumbullon të dhënat për COVID-19, Delta Plus është identifikuar në të paktën 32 shtete. Ekspertët thonë se ende është e paqartë nëse ky variant është më i rrezikshëm.
Varianti Lambda – duke u dobësuar?
Varianti Lambda mori vëmendjen pas frikës se mund të paraqesë një rrezik të ri. Por, ky version i koronavirusit, që fillimisht u identifikua në Peru në dhjetorin e vitit 2020, mund të jetë duke u dobësuar, kanë thënë për Reuters disa ekspertë të sëmundjeve ngjitëse.
OBSH-ja e ka klasifikuar Lambdan si variant me interes, që do të thotë se bart mutacione që dyshohet se ndryshojnë transmetueshmërinë ose shkaktojnë sëmundje më të rëndë, por që ende janë nën hetim. Studimet laboratorike shfaqin se mutacionet e këtij varianti shfaqin rezistencë ndaj antitrupave të prodhuara nga vaksinat.
Dr. Eric Topol, profesor i shëndetësisë molekulare dhe drejtor në Institutin për Hulumtime Scipps në La Jolla, Kaliforni, tha se përqindja e rasteve të reja me variantin Lamda të raportuara në GISAID – një databazë që gjurmojë variantet e SARS-CoV-2 – ka rënë, që sipas tij, është shenjë se varianti është duke u dobësuar.
Gjatë një takimi së fundmi me Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, ekspertët e sëmundjeve thanë se varianti Lambda duket se nuk shkakton rritje të transmetueshmërisë dhe se vaksinat duket se funksionojnë mjaft mirë ndaj këtij varianti, tha Dr. Willaim Schaffner, një ekspert për sëmundje ngjitëse nga Universiteti Vandderbilt, që mori pjesë në këtë takim.
Varianti B.1.621
Varianti B.1.621, që fillimisht u identifikua në Kolumbi në muajin janar, ku shkaktoi shpërthim të madh të virusit, ende nuk ka marrë ndonjë emër sipas alfabetit grek.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve e ka listuar këtë variant si variant me interes, ndërkaq Agjencia për Shëndetësi Publike e Anglisë, ka thënë se është duke e hetuar këtë variant.
Ky variant bart disa mutacione kyçe përfshirë E484K, N501Y dhe D614G, që kanë qenë të lidhura me rritje të transmetueshmërisë dhe ulje të mbrojtjes së sistemit imunitar. Deri më tani, në Mbretërinë e Bashkuar janë konfirmuar 37 raste me këtë variant, është thënë në një raport të publikuar së fundmi nga qeveria. Po ashtu, në Florida janë identifikuar disa pacientë të infektuar me këtë variant.
Më shumë variante?
Dr. Anthony Fauci, këshilltari kryesor shëndetësor i Shtëpisë së Bardhë, së fundmi paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të përballen me më shumë vështirësi nëse më shumë amerikanë nuk vaksinohen. Sipas tij, një numër i madh i njerëzve të pavaksinuar i japin virusit më shumë mundësi të përhapet dhe të pësojë mutacion, duke krijuar variante të reja.
Përkrahësit e një shpërndarje më të madhe të dozave të vaksinës në mbarë botën nga shtetet e pasura, thonë se e njëjta gjë mund të ndodhë teksa variantet e reja shfaqen dhe nuk detektohen në mesin e popullatave të shteteve të varfra, ku shumë pak njerëz janë vaksinuar.
Sidoqoftë, një çështje kyçe është që vaksinat ekzistuese bllokojnë sëmundjen e rëndë, por nuk e parandalojnë infeksionin, tha dr. Gregory Poland, një shkencëtar vaksinash në Klinikën Mayo. Kjo për faktin se virusi është ende në gjendje të shfaqet sërish në hundë, edhe në mesin e njerëzve të vaksinuar, të cilët më pas mund ta transmetojnë sëmundjen përmes pikëzave të vogla që përhapen në ajër.
Për ta mposhtur koronavirusin, ai tha se me gjasë do të duhet një gjeneratë e re e vaksinave, që do të mund të bllokojë edhe transmetimin e virusit. Deri atëherë, bota do të vazhdojë të jetë e ndjeshme ndaj shfaqjes së varianteve të reja, mendojnë Poland dhe ekspertë të tjerë.
Facebook Forum