Ndërlidhjet

Sali Berisha dorëzon padinë kundër Antony Blinken


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë një konference për media në Tiranë më 20 maj 2021.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë një konference për media në Tiranë më 20 maj 2021.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka dorëzuar në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë për shpifje ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Kjo padi në gjykatë për shpifje bazohet në precedentë të mëparshme të ngjashme dhe në parimin universal se shpifja nuk ka imunitet sepse ajo nuk hyn në funksione zyrtare dhe për rrjedhojë imuniteti në rastin e shpifjes nuk mund të përdoret si mburojë”, tha të enjten Berisha në një konferencë për media.

Padia e Berishës vjen pasi Departamenti amerikan i Shtetit, i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhej se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Në anën tjetër, Sali Berisha sot tha se vendimi i SHBA-së për ta shpallur person “non grata” është politik dhe pa baza, duke përsëritur se ndaj tij nuk është publikuar asnjë fakt, pavarësisht kërkesës së bërë tre muaj më parë.

“Kurrë se kisha menduar se do detyrohesha të ngreh padi ndaj një sekretari të SHBA-së, të një vendi që e adhuroj kaq shumë”, tha ish-kryetari i Partisë Demokratike (PD).

Ai u shpreh se kjo padi ndaj Blinken “është padi për dinjitetin njerëzor” dhe kundër “diktatit të barit” – duke iu referuar deklaratave të disa ditëve më parë të ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila kërkoi nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha që kjo parti të distancohet nga Sali Berisha.

Ambasadorja Kim kishte marrë motiv sloganet e ish-diktatorit shqiptar, Enver Hoxha “bar do të hamë e armikut nuk do t’ia zgjasim dorën", ku si armik e kishte identifikuar imperializmin amerikan dhe kërkoi nga PD-ja të marrë veprime të përgjegjshme për të ardhmen e Shqipërisë.

Berisha tha se pa marrë parasysh kërkesave të ambasadores amerikane, ai do të jetë deputet në parlament.

“Irritimi i saj ishte për daljen time në një televizion të Kosovës ku shpreha rezervat e mia ndaj Matthew Palmer për shkak se ai ka qenë promotor i projektit për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe unë kam qenë një nga kundërshtarët e flaktë të atij projekti”, tha ish-kryeministri Berisha.

Berisha ndër tjerash bëri të ditur se në takimin e zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike mes Kim dhe Lulzim Bashës, kryetari i partisë i ka kërkuar ambasadores transparencë mbi akuzat, por që “nuk ka marrë përgjigje pozitive”.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitime dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.

Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e SHBA-së

Shtetet e Bashkuara e arsyetojnë vendimin me faktin se, i njëjti është në vazhdën e riafirmimit të përkrahjes së SHBA-së, për reformat kryesore politike dhe institucionet demokratike të Shqipërisë.

Berisha i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që të publikohen fakte.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG