Ndërlidhjet

Qendra Wilson: Dialogu Kosovë-Serbi të vendosë njerëzit para territorit


Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Bruksel, 15 korrik 2021.
Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Bruksel, 15 korrik 2021.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të riformulohet në dialog mes palëve të barabarta, dhe të bazuar mbi parimin “njerëzit të parët, jo territori”, thuhet në raportin e titulluar “Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës: Pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë”, të Qendrës Wilson me seli në Uashington.

Sipas raportit të kësaj qendre, Kosova dhe Serbia kanë një mundësi unike që të zgjidhin një prej burimeve kryesore të tensioneve ndërshtetërore në Ballkanin Perëndimor, problemin mbi sovranitetin e Kosovës.

Raporti thotë se “dykuptimësia kreative” e BE-së dhe qasja ndaj Kosovës përmes “statusit neutral” kanë arritur kufijtë e tyre.

“Duke mos vepruar në mënyrë më strategjike për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, BE-ja ka kontribuar në situatën aktuale, ku i gjithë rajoni është në një gjendje tensioni, duke lejuar ndërhyrjen nga Rusia, Kina dhe të tjerët”, thuhet në raport.

Aty shtohet se statusi neutral rrjedh nga pesë shtetet mosnjohëse brenda BE-së, ndërkaq administrata (e presidentit amerikan, Joe) Biden duhet të fokusohet në përpjekjet që këto shtete të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës.

“Nëse BE-ja nuk arrin të unifikojë pozicionin karshi Kosovës dhe të fusë Ballkanin Perëndimor në procesin e zgjerimit, ku do t’u lejohej shteteve anëtare që të vendosni veto mbi bisedimet për anëtarësim dhe për liberalizimin e vizave për shtetet aspiruese, ndikimi i saj do të zbehet, përfshirë edhe kapaciteti i saj për të përdorur kushtëzimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar reformat”, thotë raporti.

“Njerëzit para territorit”

Raporti i Qendrës Wilson rekomandon Kosovën dhe Serbinë të “vendosin njerëzit para territorit, duke bërë prioritet çështjet kyçe që prekin jetën e njerëzve”.

“Këtu përfshihet trajtimi i drejtësisë tranzionale – veçanërisht zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale – si dhe mbështetja e bashkëpunimit ekonomik, që lufton papunësinë”.

Po ashtu, Kosova dhe Serbia, sipas këtij raporti, duhet të pajtohen për reciprocitet sa i përket të drejtave komunitetit serb në Kosovë dhe komunitetit shqiptar në Serbi “si parim bazë që do të udhëhiqte marrëveshjet e ardhshme në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Raporti i Qendrës Wilson vë në pah që zgjedhja e Joe Biden në postin e presidentit në Shtetet e Bashkuara është “inkurajuese për Kosovën”.

Rekomandimet për Kosovën

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas raportit, duhet të dizajnohet në atë mënyrë që të mbështesë bashkëpunimin dhe të nxisë shkëmbimet e burimeve midis komunave. Asociacioni, shtohet në raport, duhet të formohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të BE-së dhe ligjit ndërkombëtar.

“Ai (Asociacioni) nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv jashtë fushëveprimit të qeverisë qendrore”, thekson raporti.

Më 2013, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia u pajtuan për themelimin e Asociacionit. Më 2015, palët arritën një marrëveshje për themelimin e të njëjtit, por Gjykata Kushtetuese gjeti se pika të kësaj marrëveshjeje nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Asociacioni ishte paraparë që të krijohej me statut dhe të ketë kryetar, zëvendëskryetar, Asamble dhe Këshill. Ky institucion u tha se do të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtronte edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Një tjetër rekomandim për Kosovën është nisja e një dialogu paralel, të brendshëm ndërmjet komunitetit shumicë dhe atyre joshumicë.

“Ky dialog duhet të përfshijë edhe komunitetet fetare dhe duhet të adresojë shqetësimet e popullit të Kosovës, të cilët më parë kanë qenë të përjashtuar nga vendimmarrja”, thuhet në raport.

Shtohet se një Kosovë e izoluar, e copëtuar dhe jofunksionale, do të vazhdonte të krijonte paqëndrueshmëri në rajon dhe me gjerë.

“Dështimi për të integruar Kosovën në organizatat dhe institucionet perëndimore shkon në dëm të interesave të Perëndimit, sigurisë dhe reputacionit. Injorimi i Kosovës është i paqëndrueshëm, duke pasur parasysh që Ballkani Perëndimor po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga korrupsioni, kapja e shtetit nga elitat kleptokratike dhe nga ringjallja e shteteve joliberale, autokratike, përshirë edhe përpjekjet e Rusisë për të frenuar integrimin euro-atlantik dhe lojërave hegjemoniste ekonomike të Kinës. Mosveprimi do të thotë se humb terren”, thuhet në raport.

Sfidat e Serbisë

Ngritja e një pushteti “joliberal dhe nacionalist” në Serbi që udhëhiqet nga presidenti, Aleksandar Vuçiq, thuhet se “përbën një rrezik të madh ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, njësojë sikurse raportet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën”.

Raporti thotë se Qeveria serbe hapur vazhdon të sfidojë sovranitetin e Kosovës, kërcënon kohezionin në Bosnje dhe Hercegovinë duke inkurajuar shkëputjen e Republikës Sërpska dhe bashkimit me Serbinë dhe punon që të minojë Qeverinë në Mal të Zi përmes figurave pro-serbe.

Raporti i Qendrës Wilson rikujton se Serbisë i kërkohet që në bisedimet për anëtarësim në BE, t’i zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet ndërshtetërore dhe të jetë konform standardeve demokratike të multi-etnicitetit.

“Është e papranueshme që BE-ja lejon Serbinë që të lëvizë përpara me procesin e anëtarësimit teksa ajo rrëshqet drejt një autokracie dhe minon një Kosovë funksionale”, theksohet në raport.

Rekomandimet për BE-në dhe SHBA-në

Raporti i Qendrës Wilson thotë se në procesin e dialogut, sovraniteti dhe integriteti territorial i të dyja palëve duhet të njihet.

“Ndërmjetësuesit e dialogut, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duhet të mbështesin këto principe dhe të kundërshtojnë fuqishëm ndryshimin e kufijve”, thuhet në raport.

Nga BE-ja, SHBA-ja kërkohet që të mbështesin Kosovën që të anëtarësohet në organizata e institucione të ndryshme të tilla si Këshilli i Evropës, Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në BE (OSBE), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), INTERPOL dhe Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Po ashtu, të kërkohet nga Serbia që të ndalë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare “dhe fushatën e saj për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Gjithashtu, raporti kërkon që pesë shtetet mosnjohëse të BE-së (Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) të ndryshojnë qasjen e tyre karshi Kosovës.

“Nëse nuk e njohin Kosovën, të paktën këto shtete të mos e pengojnë Kosovën në aplikimet për anëtarësim”, thekson raporti.

Në raportin “Konsolidimi i Sovranitetit të Kosovës: Pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë”, po ashtu thuhet se BE-ja duhet menjëherë të liberalizojë vizat për Kosovën dhe “Franca e Holanda duhet menjëherë të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre” lidhur me këtë çështje.

Po ashtu, raporti kërkon që të krijohet një rrugë e qartë e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-atlantike (NATO) deri në vitin 2027.

Po ashtu thuhet se para se Kosova t’i bashkohet NATO-s, SHBA-ja duhet të vazhdojë ta mbrojë Kosovën nga çdo kërcënim që mund të paraqesë Qeveria aktuale në Serbi, e cila “mbështetet ushtarakisht nga Rusia dhe Kina”.

“Nëse ka kundërshti të mëdha për anëtarësimin e Kosovës në NATO, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet evropiane që e njohin Kosovën, duhet të angazhohen në nënshkrimin e një marrëveshjeje të sigurisë dhe mbrojtjes me Kosovën, si alternativë për anëtarësim”, thuhet në raport.

Mohimi i krimeve dhe drejtësia

Sa i përket krimeve të luftës, raporti rikujton se presidenti serb, Vuçiq dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, vazhdojnë të mohojë masakrat e kryera në Kosovë, njësojë sikurse mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

“Mohime të tilla krijojnë parakushte për paqëndrueshmëri dhe konflikte të reja”, thuhet në raport.

Raporti i Qendrës Wilson se nuk është bërë asnjë përparim sa i përket drejtësisë. Aty përmendet se edhe dy dekada pas përfundimit të luftës, gjykimet në Serbi janë mbajtur me vonesa të shumta dhe nuk ka pasur gjykime definitive.

Ndërkaq, sa i përket Kosovës, kjo qendër thotë se Qeveria e Kosovës duhet të “hetojë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në territor para, gjatë dhe pas luftës”.

Sipas raportit, që drejtësia tranzicionale të jetë efektive, kërkon bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, raporti i Qendrës Wilson kërkon që dy çështje kyçe të jenë pjesë përbërëse e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: gjetja e të zhdukurve dhe drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Për të zgjidhur çështjet e drejtësisë raporti thekson se kërkohet që të hapen arkivat për të gjetur 1.600 personat e zhdukur, ndërkaq për të mbijetuarit e dhunës seksuale mund të mos jetë e mundur që për të gjithë të arrihet drejtësia.

Qendra Wilson është themeluar nga Kongresi amerikan më 1968 për nder të presidentit Woodrow Wilson. Kjo qendër është formoni kryesor politik i SHBA-së që trajton çështjet botërore përmes hulumtimeve të pavarura dhe dialogut të hapur për të formuar ide të zbatueshme.

Autorët kryesorë të raportit Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës: Pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë” janë: Anna Di Lellio nga Universiteti i Nju Jorkut, Arben Hajrullahu nga Universiteti i Prishtinës, Daniel S. Hamilton, drejtor i Programit Global Europe, dhe Aidan Hehir nga Qendra Woodrow Wilson.

Ky raport është mbështetur nga Eliot L. Engel, Sonja Biserko, Edward P. Joseph, Daniel Serwer e të tjerë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG