Ndërlidhjet

Ambasadorja amerikane kërkon largimin e Sali Berishës nga Kuvendi


Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, gjatë adresimit të mediave.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, gjatë adresimit të mediave.

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka kërkuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha që kjo parti të distancohet nga Sali Berisha, ish-presidentin e shpallur non-grata nga SHBA-ja, duke i paralajmëruar se në të kundërtën do të rrezikojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim në selinë e opozitës demokrate në Tiranë, të parin që nga zgjedhjet e përgjithshme në prill, ambasadorja amerikane Kim kërkoi nga liderët partiakë shqiptarë që kur të marrin mandatin e ri në shtator, të hyjnë në Kuvend me përfaqësim të denjë për Shqipërinë.

“Është e rëndësishme që PD t’i mendojë mirë këto çështje”, shtoi ajo.

Administrata amerikane kishte shpallur ish-presidentin Berisha dhe familjen e tij persona non-grata në muajin maj, duke i ndalur hyrjen në Amerikë për shkak të aferave korruptive.

Duke marrë motiv nga slloganet e ish-diktatorit shqiptar, Enver Hoxha “bar do të hamë e armikut nuk do t’ia zgjasim dorën", ku si armik e kishte identifikuar imperializmin amerikan, ambasadorja Kim kërkoi nga PD të marrë veprime të përgjegjshme për të ardhmen e Shqipërisë.

“Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvndësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte ironi historike, por edhe tragjedi për këtë vend, jo vetëm për partinë, që partia të hajë bari për shkak të interesave personale të një njeriu”, tha ambasadorja Kim para mediave pas takimit njëorësh me Bashën.

“Ne shpresojmë që partitë të lëvizin përpara, që ky shtet të lëvizë përpara, që bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Shqipërisë të lëvizë përpara. E ardhmja po pret”, shtoi ajo duke iu apeluar partive politike “të zgjedhin të ardhmen në vend të së kaluarës”.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk është deklaruar pas takimit me Kim dhe deri më tani funksionarë të PD-së nuk e kanë komentuar kërkesën e administratës amerikane për ta larguar Berishën nga grupi i tyre parlamentar në legjislaturën e ardhshme të Shqipërisë.

Ndërkohë, në një postim në rrjetin Facebook, Berisha, i cili ka paditur Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Bliken për shpifje, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadores Kim duke e quajtur “fyese” dhe “dhunim flagrant të mandatit të saj".

“Asnjë shpifje, trilliim apo sajim nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhësit shqiptarë në mbrojtje të interesit kombëtar dhe publik të shqiptarëve", shkroi Berisha në profilin e tij.

“Shqiptarët janë njerëz të lirë dhe me dinjitet që nuk meritojnë bar, por transparencë”, shtoi ai.

Gjatë adresimit të mediave, Kim lavdëroi njëkohësisht Partinë Demokratike për vendimin për t’u rikthyer në Parlamentin e Shqipërisë dhe i bëri thirrje Partisë Socialiste që të ngritet përmbi interesat e partisë për të mirën e vendit.

Ajo po ashtu i adresoi edhe shqetësimet për procesin zgjedhor në Shqipëri duke theksuar se shqetësimet janë reflektuar në raportin final të OHDIR dhe inkurajoi institucionet e Shqipërisë që t’i adresojnë mangësitë e identifikuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG