Ndërlidhjet

Kryeministri holandez kërkon falje për lehtësim të masave kundër COVID-19


Kryeministri holandez, Mark Rutte.
Kryeministri holandez, Mark Rutte.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, e ka pranuar të hënën se kufizimet për koronavirus, janë lehtësuar më shpejt sesa është dashur, prandaj ka kërkuar falje.

Numri i të infektuarve në Holandë është rritur në nivelet më të larta këtë vit.

Të premten e javës së kaluar, Rutte ka vënë kufizime në bare, restorante dhe klube të natës, duke bërë përpjekje që të ndalë zinxhirin e infektimeve te të rinjtë, vetëm dy javë pasi shumica e masave të izolimit janë hequr në këtë shtet.

“Çfarë kemi menduar se është e mundur, doli të mos jetë e mundur në praktikë”, u ka thënë Rutte gazetarëve të hënën.

“Nuk kemi pasur gjykim të drejtë, na vjen keq dhe kërkojmë falje”.

Kërkimfalja e tij përbën kahje tjetër, për dallim nga qëndrimi që ka pasur të premten, kur ka mbrojtur lehtësimin e masave dhe ka refuzuar që të marrë fajin për keqmenaxhimin eventual të situatës nga Qeveria e tij.

Kjo qasje e së premtes më pas ka nxitur kritika nga autoritetet shëndetësore, të cilat kanë thënë se Qeveria ka inkurajuar të rinjtë që të dalin sërish.

Deri më tani, rritja e numrit të të infektuarve në Holandë nuk ka ndikuar në rritje të numrit të pacientëve nëpër spitale, marrë parasysh se shumica e rasteve të reja janë mesin e të rinjve.

Megjithatë, ministri holandez i Shëndetësisë, Hugo de Jonge, ka thënë të premten se numri i personave të shtrirë nëpër spitale, mund të “rrezikohet” nga një rritje e pashembullt e shkallës së infektimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG