Ndërlidhjet

Biden zotohet për veprime kundër sulmeve kibernetike nga Rusia


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i tha homologut rus, Vladimir Putin, se SHBA-ja “do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm” për të ndaluar sulmet kibernetike nga Rusia, tha Shtëpia e Bardhë.

Biden dhe Putin biseduan të premten në telefon.

Një gazetar e pyeti Bidenin pas bisedës nëse Rusia do të përballet me pasoja dhe ai tha: “Po”.

“Ia kam bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara presin që kur një sulm kibernetik vjen nga toka e tij - edhe nëse nuk është i sponsorizuar nga shteti - ata duhet të veprojnë, nëse ne u japim informacione të mjaftueshme se kush është”, u tha Biden mediave.

Kur një gazetar pyeti nëse SHBA-ja mund të sulmojë serverët e përdorur nga hakerët, Biden tha: “Po”.

Por, pas bisedës të premten, Kremlini tha se SHBA-ja nuk e ka kontaktuar Moskën në lidhje me sulmet kibernetike.

“Pavarësisht gatishmërisë nga pala ruse për të goditur bashkërisht veprimtarinë kriminale në sferën e informacionit, gjatë muajit të kaluar nuk është marrë asnjë kërkesë nga departamentet përkatëse të SHBA-së”, tha përmes një deklarate zyra e Putinit.

Një zyrtar i paidentifikuar amerikan i mohoi pretendimet e Rusisë, duke i thënë agjencisë së lajmeve AFP se administrata Biden ka bërë “kërkesa të shumëfishta, specifike për veprim”.

Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë.

Kryesit e sulmit, që dyshohet se janë rusë, janë duke kërkuar 70 milionë dollarë për të zhbllokuar të dhënat e kompanive.

Rasti Kaseya është sulmi i tretë i madh kibernetik, i kryer në muajt e fundit, nga kriminelë që besohet se vijnë nga Rusia.

Në maj, hakerët kanë sulmuar operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline.

Në qershor, shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS.

Biden ka biseduar me Putinin për sigurinë kibernetike edhe gjatë takimit të tyre në Gjenevë, muajin e kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG