Ndërlidhjet

Përzierja e vaksinave kundër COVID-19 "ofron mbrojtje të mirë"


Ilustrim.
Ilustrim.

Marrja e dy dozave të ndryshme të vaksinave kundër koronavirusit, ofron mbrojtje të mirë kundër pandemisë, ka gjetur një studim në Mbretëri të Bashkuar.

Studimi ka analizuar efikasitetin e marrjes së dy dozave të vaksinës së kompanive Pfizer/BioNTech, dy të AstraZenecas, dhe nga një dozë të secilës dhe është kryer nga Grupi për Vaksina i Universitetit të Oksfordit, dhe një varg rrjetesh në gjithë Britaninë.

Të gjitha kombinimet kanë funksionuar për sistemin imunitar.

Ekspertët kanë thënë se këto njohuri mund të ofrojnë fleksibilitet për fushatën e vaksinimit.

Zëvendës-shefi britanik për mjekësi, Jonathan Van-Tam, ka thënë se nuk ka arsye për të ndryshuar dozën e dytë, që ka marrë një person në Britani, për dallim nga e para, pasi ka mjaftueshëm doza.

Mirëpo ai ka thënë se studimi mund të jetë i dobishëm për të ardhmen.

“Përzierja e dozave mund të na ofrojë fleksibilitet më të madh për programin e përforcimit të vaksinave, ashtu sikurse për shtetet që mund të përballen me mungesë të dozave”.

Disa shtete veçse kanë nisur të përziejnë dozat.

Spanja dhe Gjermania janë duke ofruar vaksina të kompanive Pfizer apo Moderna, si doza të dyta për të rinjtë, që kanë marrë një dozë të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, pas shqetësimeve për trashje të rralla gjaku.

Marrja e dy dozave është e rëndësishme për të siguruar mbrojtje të plotë dhe për ta aktivizuar organizimin që të krijojë antitrupa dhe të bllokojë koronavirusin.

Hulumtuesi kryesor, profesori Matthew Snape, nga Universiteti i Oksfordit, ka thënë se gjetjet nuk kanë minuar politikën britanike për dhënie të vaksinës së njëjtë.

“Ne tashmë e dimë se dhënia e dy dozave të njëjta, përbën hap efektiv kundër sëmurjes së rëndë dhe hospitalizimit, duke përfshirë edhe variantin Delta, kur dozat merren prej tetë deri në 12 javë hapësirë”.

Ai ka thënë se rezultatet e reja kanë treguar se periudha kohore e marrjes së dozave të ndryshme ka qenë e rëndësishme, pasi intervali prej katër javësh nuk ka qenë më i favorshëm sesa ai prej tetë deri në 12 javë.

“Ky interval më i gjatë kohor është mësuar se ndikon më mirë në përgjigjen imunitare”, ka thënë ai.

Testimet e dy vaksinave të ndryshme, në interval kohor prej 12 javësh, do të publikohen muajin e ardhshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG