Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Turqia diskutojnë për sigurinë e aeroportit të Kabulit


Harta e Afganistanit.
Harta e Afganistanit.

Zyrtarët amerikanë dhe ata turq do të diskutojnë për të ardhmen e aeroportit ndërkombëtar të Kabulit pas tërheqjes së planifikuar të forcave ndërkombëtare nga Afganistani më vonë këtë vit.

Turqia është angazhuar për të ofruar sigurinë e aeroportit, si një pikë strategjike.

Më 24 qershor, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, do të presë një delegacion amerikan në përbërje të zyrtarëve nga Departamenti i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes.

Bisedimet në Ankara do të mbahen derisa presidenti afgan, Ashraf Ghani, arrin në Uashington për një vizitë, për të cilën Shtëpia e Bardhë ka thënë se do të "konfirmojë partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit derisa vazhdon procesi i tërheqjes ushtarake".

Në javët e fundit, talibanët kanë marrë kontrollin në dhjetëra rajone nga forcat qeveritare, duke ngritur shqetësime në lidhje me aftësinë e forcave qeveritare për të mbajtur kontrollin e vendit pas tërheqjes së trupave të huaj.

Tërheqja e plotë është planifikuar të përfundojë deri më 11 shtator.

Siguria e Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai” konsiderohet të jetë thelbësore për funksionimin e misioneve diplomatike.

Turqia, anëtare e NATO-s ka zhvilluar bisedime me Uashingtonin për mbështetjen logjistike dhe financiare për misionin e sigurimit të Aeroportit.

Ministri Akar tha se detajet e planit për Aeroportin e Kabulit ishin ende duke u diskutuar. Ai këmbënguli se Ankaraja nuk do të dërgojë trupa shtesë në Afganistan si pjesë e këtij misioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG