Presidenti i zgjedhur i Iranit, Ebrahim Raisi, tha se i mbështet bisedimet për ringjalljen e një marrëveshjeje të vitit 2015 - e cila rregullon programin bërthamor të Republikës Islamike - por e përjashtoi mundësinë e negociatave të drejtpërdrejta me presidentin amerikan, Joe Biden.
Në fjalimin e tij të parë prejse i ka fituar zgjedhjet javën e kaluar, Raisi tha se edhe nëse Uashingtoni i heq të gjitha sanksionet kundër Iranit, ai nuk e ka ndërmend të takohet me Bidenin.
“Ne i mbështesim negociatat që garantojnë interesat tona kombëtare... Amerika duhet t’i kthehet menjëherë marrëveshjes dhe t’i përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjes”, tha Raisi.
“Çdo takim duhet të prodhojë një rezultat për kombin iranian”, theksoi ai.
Raisi, nga linja e ashpër politike, ka fituar afro 62 për qind të votave në zgjedhjet e 18 qershorit.
Ai do ta marrë detyrën e presidentit në fillim të gushtit, duke zëvendësuar Hassan Rohanin, i cili ka shërbyer dy mandate radhazi.
Rohani ka qenë arkitekt kryesor i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila ka kufizuar aktivitetin bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara janë tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 dhe kanë filluar të vendosin sërish sanksione financiare kundër Iranit.
Në përgjigje, Teherani i ka shkelur kushtet e marrëveshjes.
Kjo ka bërë që nënshkruesit e tjerë të saj, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia, të punojnë me Bashkimin Evropian, për ta rikthyer SHBA-në.