Ndërlidhjet

Shkarkohet ministri malazez që mohoi gjenocidin në Srebrenicë


Ish-ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Vlladimir Leposaviq (në mes).
Ish-ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Vlladimir Leposaviq (në mes).

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten mbrëma (17 qershor) një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës si dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Pro shkarkimit të Leposaviqit votuan 43 deputetë ndërsa 27 ishin kundër.

Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Ky qëndrim nxiti kritika brenda Malit të Zi si dhe nga Bashkimit Evropian e Shtetet e Bashkuara.

Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ndërsa u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq. Kjo parti është në opozitë.

Çfarë thotë Rezoluta për Srebrenicën?

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës u votua nga 55 deputetë, 19 ishin kundër dhe 7 abstenuan.

Rezoluta dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë si dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.

Në bazë të kësaj rezolute, Mali i Zi konfirmon vendosmërinë për të parandaluar gjenocidin dhe krime të tjera të rënda në të ardhmen.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Kjo ngjarje përbën vrasjet masive më të rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, meqë aty më 1995 forcat e serbëve të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG