Ndërlidhjet

G7 bën një sërë zotimesh për zgjidhjen e problemeve globale


Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, Presidenti francez, Emmanuel Macron, Kryeministri italian, Mario Draghi, ai i Kanadasë, Justin Trudeau, i Japonisë Yoshihide Suga dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, Presidenti francez, Emmanuel Macron, Kryeministri italian, Mario Draghi, ai i Kanadasë, Justin Trudeau, i Japonisë Yoshihide Suga dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Në Britaninë e Madhe ka përfunduar samiti i shtatë vendeve më të pasura të botës, liderët e të cilave kanë rënë dakord për të adresuar një sërë çështjesh, përfshirë ngrohjen globale, pandeminë e koronavirusit si dhe problemet me Kinën dhe Rusinë.

Samiti i G7-ës u mbajt në Kornuall të Britanisë së Madhe.

Ai mblodhi së bashku udhëheqësit e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë.

Në një deklaratë të përbashkët pas samitit liderët thanë se "do të shfrytëzojnë fuqinë e demokracisë, lirisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektit për të drejtat e njeriut për të kapërcyer vështirësitë më të mëdha".

Presidenti amerikan, Joe Biden, e quajti samitin “jashtëzakonisht produktiv”.

Shpërndarja e vaksinave

Liderët janë zotuar të dhurojë një miliard doza vaksinash kundër koronavirusit për vendet e varfra, njoftoi pas samitit, kryeministri britanik, Boris Johnson.

"Udhëheqësit kanë premtuar mbi një miliard doza, ose drejtpërdrejt ose përmes financimit të COVAX-it", tha ai.

COVAX është program global që ndihmon shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Johnson tha se bota pret nga liderët e G7 që të lëvizin përtej reagimeve fillestare ndaj pandemisë, që sipas tij, ndonjëherë kanë qenë "nacionaliste dhe egoiste”.

Grupi G7 i kërkoi Kinës që të bashkëpunojë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për një hetim “transparent të fazës së dytë” lidhur me origjinën e koronavirusit.

"Ne bëjmë thirrje për një studim transparent, të udhëhequr nga ekspertët dhe të bazuar në shkencë", tha G7 në deklaratën përfundimtare, pas samitit tre-ditor.

Ngrohja globale

Vendet anëtare të grupit G7 gjithashtu u zotuan se do të kufizojnë në mënyrë drastike investimet në qymyr dhe se do të angazhohen për mbrojtjen e tokës dhe oqeaneve gjatë kësaj dekade.

"Ne angazhohemi që të përgjysmojmë emetimet tona kolektive gjatë dy dekadave deri më 2030, duke rritur dhe përmirësuar financat për çështje të klimës deri më 2025 dhe për të ruajtur ose mbrojtur të paktën 30 për qind të tokës dhe oqeaneve tona deri më 2030", tha grupi i ekonomive kryesore në botë.

Më herët, Shtëpia e Bardhë, tha se është hera e parë që udhëheqësit e kombeve të pasura janë zotuar të mbajnë rritjen e parashikuar të temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius.

Aktivistët e çështjeve të klimës, thonë se qymyri është karburanti më i ndotur në botë dhe dhënia fund e përdorimit të tij shihet si një hap i madh në adresimin e problemeve të mjedisit.

Por, ambientalistët duan garanci që vendet e pasura do të përmbushin premtimet për të ndihmuar vendet e varfëra të përballen me ndryshimin e klimës.

Çfarë është ndryshimi i klimës?

Temperatura mesatare e Tokës është rreth 15 gradë Celsius. Në të kaluarën ka qenë edhe më e lartë por edhe më e ulët.

Klima në tokë përballet me luhatje natyrore, por shkencëtarët thonë se temperaturat tani po rriten më shpejt se në shumë kohë të tjera.

Kjo është e lidhur me efektin serë, i cili tregon se si atmosfera e Tokës e bllokon një pjesë të energjisë së Diellit.

Shkencëtarët besojnë se përmes lëshimit të gazrave nga industria dhe bujqësia po bllokojmë më shumë energji dhe duke rritur temperaturën.

Kjo është e njohur si ndryshimi i klimës ose ngrohja globale.

Kina dhe Rusia

G7 kritikoi Kinën për shkelje të të drejtave të pakicave, përfshirë punën e detyruar në rajonin perëndimor të Ksinjiangut, si dhe për shtypjen e aktivistëve pro-demokracisë në Hong Kong.

"Ne do të promovojmë vlerat tona, duke përfshirë thirrjen e Kinës për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore", thanë krerët e G7-ës.

Më herët, Kina ka paralajmëruar liderët e G7-ës se kanë përfunduar ditët kur një grup "i vogël" vendesh vendosnin për fatin e botës.

Aleatët e G7-ës gjithashtu bënë hapin e parë për shpalljen e një propozimi për investime në infrastrukturë në vendet në zhvillim të quajtur “Build Back Better for the World” (Të rindërtojmë një botë më të mirë).

Plani synon t’i kundërvihet iniciativës kinezë “Një Brez një Rrugë”.

Zyrtarët amerikanë thonë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me përballjen me Kinën, por me paraqitjen e një alternative pozitive për botën.

Skema "Një Brez një Rrugë” e Kinës, e inicuar më 2013, përfshin nisma zhvillimi dhe investimesh që do të shtrihen nga Azia në Evropë dhe më gjerë. Projekti është kritikuar pasi ka zhytur në borgje shumë vende. Plani parasheh investime dhe huadhënie në miliarda dollarë për vendet në zhvillim.

Analistët thonë se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është i vendosur që fuqitë perëndimore duhet të veprojnë tani për t'iu kundërvënë Kinës.

Ndërsa në lidhje me raportet me Rusinë, grupi G7 u zotua se do të kërkojë nga Moska "llogari" për sulmet kibernetike, duke i quajtur ato "një kërcënim".

Presidenti Biden pas përfundimit të samitit të G7-ës do të udhëtojë në Bruksel për bisedime me Bashkimin Evropian dhe aleatët e NATO-s.

Udhëtimi i tij në Evropë përfundon më 16 qershor pasi të takojë në Gjenevë të Zvicrës, presidentin rus Vladimir Putin.

Presidenti Biden tha të dielën (13 qershor) se do të jetë "shumë i qartë" me homologun e tij rus në lidhje me një sërë shqetësimesh të SHBA-së.

Mosmarrëveshjet mes dy vendeve qëndrojnë në një spektër të gjërë çështjesh, nga sulmet e hakerëve rus e deri te situata në Ukrainë dhe Bjellorusi.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG