Ndërlidhjet

Premtime të rrejshme me afatet për kontestin maqedono-bullgar


Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev (Foto ilustruese nga arkivi).
Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev (Foto ilustruese nga arkivi).

Kryeministri Zoran Zaev, ka thënë se beson se këtë muaj mund të ketë arritje të marrëveshjes me Bullgarinë, që do t’i hapte rrugën nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Por njohësit e çështjeve ndërkombëtare, Muhamed Halili dhe Nikolla Dujovski, thonë se premtimet e tilla janë joreale, meqë sipas tyre zgjedhjet në Bullgari dhe mungesa e një konsensusi brenda vendit, e bëjnë të pamundur një zgjidhje mes dy vendeve.

Maqedonia e Veriut vështirë se do të mund të nis në qershor bisedimet e anëtarësimit me BE-në, ashtu siç pret kryeministri Zoran Zaev, apo drejtues të tjerë të qeverisë, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, Muhamed Halili dhe Nikolla Dujovski.

Ata thonë se retorika me afate kohore, që po përdoret në veçanti nga kryeministri Zoran Zaev, duket më tepër si një optimizëm i tepruar se sa real, duke marrë parasysh pozicionet e palëve.

Ish-diplomati Muhamed Halili, drejtues i Këshillit të Ambasadorëve, thotë se kompromisi varet nga Bullgaria, e cila për momentin vështirë se mund të miratoj ndonjë vendim për heqjen e vetos për shkak se ndodhet në periudhë parazgjedhore. Por, sipas tij, as në Maqedoninë e Veriut nuk ka disponim për ndonjë kompromis duke marrë parasysh thelbin e kontestit që ka të bëjë me çështjet lidhur me identitetin dhe gjuhën.

“Është një çështje e cila nuk mund të realizohet për një kohë shumë të shkurtër, sepse para vetes janë marr obligime shumë të mëdha, të cilat ne i presim, por Bullgaria nuk po i realizon. Dyja palët po qëndrojnë në llogoret e tyre dhe nuk po ecin përpara. Bullgaria ka para vetë procesin zgjedhor që duhet ta përmbyll. Ndërkohë Maqedonia e Veriut, bën sikur i shpejtohet dhe në fakt i shpejtohet, por me gjithë presionin e madh që bëjnë shtetet anëtare të BE-së ndaj Bullgarisë, këtu kemi interesa partiake, personale e grupore...Mund të ndodhë të nisin bisedimet në dhjetor, nëse intensifikohet dialogu, por nëse ndodhë e kundërta, atëherë gjërat do të komplikohen edhe më shumë dhe uroj të mos na përsëritet ajo që na ndodhi me Greqinë”, thotë Halili.

Kryeministri Zoran Zaev, ditëve të fundit ka intensifikuar takimet e nivelit të lartë në shumë vende evropiane, ku ka marrë mbështetje për nisjen e bisedimeve, siç ishte edhe takimi i të enjtes me presidentin e Francës, Emanul Macron.

Bullgaria në nëntor të vitit të kaluar, bllokoi nisjen e bisedimeve mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, me kërkesën për zgjidhjen fillimisht të dallimeve mes dy vendeve.

Por, kryeministri Zaev ka thënë se pret që zhvillimet pozitive këtë muaj, duke e vlerësuar si bazë të mirë një nismë të Portugalisë, vend ky që kryeson me BE-në. Detaje nuk janë dhënë mbi këtë propozim. I gjithë kontesti me Sofjen qëndron pikërisht në çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike.

“Nëse kompromisi do të kërkohej për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas dhe gjuhën, atëherë nuk do të ketë kompromis, jo vetëm me këtë qeveri por me asnjë tjetër. Integrimi evropian nuk kushton aq shumë, që ne të zhveshemi nga ndjenjat kombëtare, të heqim dorë nga identiteti, nga gjuha dhe veçoritë tona kombëtare”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve ndërkombëtare, duke shfaqur doza pesimizmi, nëse do të mund të arrihet ndonjë marrëveshje me Bullgarinë.

“Nuk duhet të humbim shpresën, por nuk duhet të jemi edhe shumë optimistë, por të jemi realistë dhe ta kuptojmë se nëse do të kemi datën apo nëse fillojnë bisedimet e anëtarësimit, do të ishte diçka e mirë për ne. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë nuk duhet të mbajmë pezull opinionin apo ta ushqejmë me shpresa të rrejshme, të premtojmë gjëra që nuk varen nga ne. Unë personalisht nuk pres të ndodhë diçka, pasi duhet ta kuptojmë se janë gjëra që nuk varen nga ne”, thotë Dujovski.

Opozita maqedonase, tani disa ditë po bllokon rrugët e Shkupit dhe të dhjetë qyteteve tjera, duke kërkuar nga qeveria transparencë në bisedimet me Sofjen, pasi pretendon se ajo po zhvillon bisedime sekrete, që do të dëmtojnë interesat shtetërore e kombëtare.

VMRO DPMNE-ja, thotë se “udhërrëfyesi mbi të cilin qeveria po negocion me palën bullgare paraqet tradhti”, andaj edhe kërkon zbardhjen e çdo detaji nga takimet me zyrtarët bullgarë.

Muhamed Halili, nga Këshilli i Ambasadorëve, thotë se qëndrimi i opozitës më tepër është për pikë politike para zgjedhjeve lokale në vjeshtë, meqë sipas Halilit nuk ka asnjë dokument apo bisedime sekrete mes dy vendeve.

“Natyrisht se opozita dëshiron të fitojë pikë politike, meqë afrohen zgjedhjet lokale...Nuk ka asnjë dokument të fshehtë, pasi asgjë nuk mund të mbahet fshehtas pasi palët kërkojnë garanci, në veçanti Bullgaria, që duhet të të jenë publike, të ditura për të gjithë me qëllim që Sofja të ketë argumente dhe nesër të thotë se ju nënshkruat këtë marrëveshje por nuk e realizuat. Çdo dokument sekret nuk është dokument. Natyrisht se opozita nuk mund t’i duartrokas çdo vendimi të pushtetit, pasi nuk do të ishte opozitë .

Edhe Nikolla Dujovski, thotë se negociata sekrete nuk ka dhe akuzon partitë për mungesë të përgjegjësisë dhe të bashkëpunimit për çështjet që janë me interes të lartë kombëtar e shtetëror.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG