Ndërlidhjet

FBI akuzon hakerët e lidhur me Rusinë për sulmin kibernetik


Ilustrim.
Ilustrim.

Një grup kriminal i hakerëve rusë qëndron prapa sulmit kibernetik që ka shënjestruar kompaninë më të madhe në botë për përpunimin e mishit JBS, tha Byroja Federale e Hetimeve (FBI).

FBI tha se është duke u angazhuar që ta sjellë para drejtësisë grupin e hakerëve REVil.

REVil që njihet gjithashtu edhe si Sodinokibi është një nga grupet më kriminale dhe fitimprurëse kibernetike në botë.

Rrjetet kompjuterike të kompanisë JBS u pirateruan, duke bërë që disa operacione në Australi, Kanada dhe SHBA të mbyllen përkohësisht.

"Ne e kemi fajësuar për sulmin ndaj kompanisë JBS, REVil dhe Sodinokibi dhe po angazhohemi fuqishëm për t'i sjellë përgjegjësit para drejtësisë", tha deklarata e FBI-së.

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do ta ngritë çështjen e sulmeve kibernetike në takimin me presidentin rus, Vladimir Putin, që pritet të mbahet më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

"Shtetet e përgjegjshme nuk strehojnë kriminelë kibernetikë", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

I pyetur nga mediat nëse do të merrte masa ndaj Rusisë për shkak të sulmit kibernetik, presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se "ne po e shqyrtojmë nga afër këtë çështje".

Sulmi kibernetik ndaj një filiali amerikan të JBS në pronësi braziliane, ka nxitur përsëri akuzat se Rusia së paku strehon kriminelët kibernetikë.

Dyshime të ngjashme u ngritën edhe më herët pasi nga një sulm i hakerëve muajin e kaluar, u detyrua mbyllja e përkohshme e tubacionit më të madh të karburantit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç në bisedimet me Putinin, presidenti Biden planifikon që këtë çështje ta diskutojë edhe gjatë takimeve me Bashkimin Evropian gjatë vizitës së tij në Evropë, në muajin qershor.

"Është e papranueshme të strehosh subjektet kriminale që synojnë të bëjnë dëm, dhe që po i bëjnë dëm infrastrukturës kritike në Shtetet e Bashkuara", tha Psaki.

Shtëpia e Bardhë nuk e ka fajësuar Kremlinin drejtpërdrejt, por vetëm ka thënë se grupe kriminale po veprojnë brenda Rusisë.

Nga ana e saj, Rusia tha të mërkurën se do të ishte e hapur ndaj çdo kërkese të SHBA-së për ndihmë në hetimin e sulmit kibernetik.

JBS është një furnizues i gjerë mishi me operacione në Shtetet e Bashkuara, Australi, Kanada, Evropë, Meksikë, Zelandë të Re dhe Britani të Madhe.

Kompania tha se shumica dërrmuese e operacioneve të saj, do t’i kthehen funksionimit të plotë gjatë ditës së enjte.

Në muajin prill, administrata e presidentit Biden njoftoi një seri veprimesh, përfshirë sanksione kundër Rusisë, për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet e SHBA-së më 2020, veprimet e saj të vazhdueshme në Krime të Ukrainës dhe sulmin kibernetik ndaj agjencive qeveritare dhe kompanive amerikane.

Microsoft gjithashtu kohët e fundit tha se hakerat kanë goditur përsëri SHBA-në dhe vende të tjera, duke ndërmarrë sulm të ri kibernetik ndaj më shumë se 150 agjencive qeveritare dhe organizatave të tjera.

Pas sulmit ndaj JBS, Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës së Sigurisë (CISA) e SHBA-së, paralajmëroi se çdo organizatë "në të gjithë sektoret e ekonomisë" mund të preket nga sulmet.

"Të gjitha organizatat duhet urgjentisht të zbatojnë praktikat më të mira, për të mbrojtur rrjetet e tyre nga këto kërcënime", tha përmes një deklarate, Eric Goldstein, ndihmësdrejtori ekzekutiv për sigurinë kibernetike në CISA.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG