Ndërlidhjet

Çfarë dimë për origjinën e COVID-19?


Vuhan, Kinë. Fotografi nga arkivi.
Vuhan, Kinë. Fotografi nga arkivi.

Shkencëtarët po e analizojnë përsëri misterin kryesor të COVID-19: Ku, kur dhe si u shfaq virusi që shkakton sëmundjen?

Sipas dy teorive dominuese konkurruese, virusi është bartur nga kafshët, me gjasë nga lakuriqët, te njerëzit, ose ai ka dalë nga një laborator i virologjisë në Vuhan, Kinë, raporton Reuters.

Kjo është çfarë dihet deri më tani për origjinën e virusit:

Pse laboratori në Vuhan është në qendër të vëmendjes?

Instituti i Virologjisë i Vuhanit është një qendër hulumtuese e sigurisë së lartë, që studion patogjenet në natyrë, të cilat kanë potencial të infektojnë njerëzit me sëmundje të reja ekzotike dhe vdekjeprurëse.

Laboratori ka zhvilluar hulumtime të gjera për viruset që barten nga lakuriqët, që nga shpërthimi ndërkombëtar i SARS-CoV-1, i cili nisi në Kinë, më 2002, dhe i mori jetën 774 personave në mbarë botën. Kërkimet për origjinën e tij çuan vite më vonë në zbulimin e viruseve të ngjashme me SARS-in në një shpellë lakuriqësh në jugperëndim të Kinës.

Instituti mbledh material gjenetik nga natyra e egër për eksperimentim në laboratorin e tij në Vuhan. Hulumtuesit eksperimentojnë me viruse të gjalla në kafshë, për të parë se sa i prek njerëzit. Për të reduktuar rrezikun e daljes aksidentale të patogjeneve, qendra parashihet të zbatojë protokolle rigoroze të sigurisë, ku përfshihen përdorimi i veshjeve mbrojtëse, dhe filtrimi i lartë i ajrit. Por, edhe masat më të rrepta nuk mund t’i eliminojnë rreziqet e tilla.

Pse disa shkencëtarë dyshojnë për një aksident laboratorik?

Për disa shkencëtarë, lëshimi i një patogjeni të rrezikshëm nëpërmjet një punonjësi të pakujdesshëm të laboratorit është hipotezë e qëndrueshme për fillimin e pandemisë, dhe meriton të hetohet.

Laboratori i Vuhanit, qendra kryesore e hulumtimit të SARS-it në Kinë, nuk është shumë larg tregut të produkteve të detit në Huanan, i cili, në fillim të krizës shëndetësore, përmendej si vendi ku, me shumë gjasë, mund të ketë ndodhur bartja e virusit nga kafsha te njeriu. Tregu ishte gjithashtu vendi i ngjarjes së parë të super-shpërndarjes së COVID-19. Afërsia mes tyre ngjalli menjëherë dyshime, duke u nxitur nga dështimi për të identifikuar deri më tani ndonjë pjesëtar të natyrës së egër që është infektuar me të njëjtën linjë virusale, dhe nga refuzimi i Qeverisë kineze për të lejuar hetime të plota rreth skenarit të daljes së virusit nga laboratori.

Ndërtesa e Institutit të Virologjisë në Vuhan.
Ndërtesa e Institutit të Virologjisë në Vuhan.

Shkencëtarët dhe të tjerët kanë krijuar hipoteza, duke u bazuar në shqetësimet e përgjithshme rreth rreziqeve të përfshira në hulumtimin laboratorik të viruseve të gjalla, në të dhënat nga gjenomi i virusit, dhe në informatat nga studimet e kryera nga hulumtuesit e institutit.

Ndonëse shkencëtarët e laboratorit të Vuhanit kanë thënë se nuk kanë gjetur gjurmë të SARS-CoV-2 në inventarin e tyre asokohe, 24 hulumtues i kanë dërguar një letër Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për të kërkuar një hetim të pavarur rigoroz.

Misioni i parë hetues i OBSH-së në Kinë këtë vit ka dështuar të hulumtojë thellë, kanë shkruar ata.

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, i publikuar para misionit të OBSH-së në ditët e fundit të Administratës Trump, pohoi, pa fakte, se disa hulumtues të Institutit të Virologjisë në Vuhan janë sëmurë me simptoma që përkojnë me COVID-19 apo me sëmundje të zakonshme sezonale, para rastit të parë të konfirmuar publikisht në dhjetorin e vitit 2019.

Një shkrim nga Nicholas Wade, i publikuar më 5 maj, në Buletinin e Shkencëtarëve Bërthamorë, pohoi se shkencëtarët laboratorikë që eksperimentojnë me viruse nganjëherë e fusin një sekuencë në gjenomën e tyre, në një mënyrë që e bën virusin më infektues. David Baltimore, virolog që ka fituar Çmimin Nobel, i cituar në këtë artikull, ka thënë se kur e ka vërejtur sekuencën në gjenomin e SARS-CoV-2, ka besuar se ka gjetur fillet e origjinës së virusit.

Cilat janë argumentet për bartjen nga kafsha te njeriu?

Shumë shkencëtarë besojnë se një origjinë natyrore është më e mundshme, dhe nuk kanë parë dëshmi shkencore për të mbështetur teorinë e daljes së virusit nga laboratori. Kristian G. Andersen, shkencëtar në institutin hulumtues Scripps, i cili ka hulumtuar gjerësisht koronaviruset, Ebolën dhe patogjenë të tjerë që barten nga kafsha te njeriu, ka thënë sekuenca të ngjashme të gjenomëve ndodhin natyrshëm te koronaviruset, dhe ka pak gjasa që ato të manipulohen për eksperimente, në mënyrën e përshkruar nga Baltimore.

Shkencëtarët që mbështesin hipotezën e origjinës natyrore janë bazuar kryesisht te historia. Disa prej sëmundjeve të reja më vdekjeprurëse të shekullit të kaluar kanë pasur origjinën nga ndërveprimi i njerëzve me kafshët e egra dhe me kafshët shtëpiake, duke përfshirë epideminë e parë të SARS-it (lakuriqët), MERS-CoV (devetë), Ebolën (lakuriqët) dhe virusin Nipah (lakuriqët).

Përderisa një burim kafshor nuk është identifikuar deri më tani, mostrat e marra nga tezgat në sektorin e kafshëve të egra të tregut të Vuhanit pas shpërthimit të virusit rezultuan pozitive, duke sugjeruar se aty mund të ketë qenë një kafshë e infektuar apo një shitës i kafshëve.

A kanë dalë informata të reja që i japin më shumë besueshmëri njërës teori sesa tjetrës?

Letra e 4 marsit e dërguar nga shkencëtarët në adresë të OBSH-së riktheu vëmendjen te skenari i daljes së virusit nga laboratori, por nuk ofroi dëshmi të reja. Nuk është shfaqur as edhe ndonjë provë definitive për origjinë natyrore të virusit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë më 26 maj se stafi i tij i Sigurisë Kombëtare nuk beson se ka informata të mjaftueshme për të vlerësuar nëse njëra teori është më e mundshme sesa tjetra.

Ai ka udhëzuar zyrtarët e inteligjencës që të mbledhin dhe të analizojnë informacionet që mund t’i afrohen një përfundimi definitiv, dhe t’i raportojnë atij pas 90 ditësh.

Përgatiti: Trim Haliti

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG