Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Pas mbledhjes së qeverisë, Vitia tha në një konferencë për media se nga 15 qershori, do të nisë së zbatohet plani i imunizimit në masë kundër koronavirusit. Vitia tha se plani i imunizimit në masë parasheh administrimin e një numri mes "300 mijë dhe 400 mijë vaksinave në muaj".
Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit. Deri më tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.
Të enjten, Kosova pranoi një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.
Aktualisht, po vaksinohen personat personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.
Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit të vaksionojë 60 për qind të popullatës.
Hiqet kufizimi i lëvizjes
Ndërkaq, në mbledhjen e qeverisë u vendos që të hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe u lehtësuan një sërë masash të tjera të vendosura kundër pandemisë.
Qeveria e Kosovës tha se lehtësimi i masave kundër COVID-19 po bëhet për shkak se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme me vazhdimin e uljes së numrit të rasteve pozitive. Masat e reja do të hyjnë në fuqi më 31 maj.
“Ulja e rasteve pozitive për dy javët e fundit, krahasuar me dy javët paraprake shënon rënie për 67.08 për qind”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë mbledhjes së qeverisë.
Pavarësisht se do të hiqet kufizimi i lëvizjes, ministri Vitia tha se nga ora 00:00 deri në ora 05:00, nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se dhjetë personave, qoftë në ambiente të hapura, qoftë në ambiente të tjera, përveç në ambientet me anëtarët e familjes.
Po ashtu, është vendosur që mbajtja e maskave të mos jetë obligative kur një person është vet në ambientet e jashtme.
"Heqja e pjesërishme e kufizimeve po bëhet me përgjegjësi dhe përgatitjet e nevojshme për përballje me një situatë eventuale të rritjes së numrit të infeksioneve. Andaj, ndryshimi i situatës epidemiologjike, rrjedhimisht kërkon vendime dhe masa të reja konform situatës së re", tha Vitia.
Shërbimet e gastronomisë do të lejohet që të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 23:00.
Ditë më parë, përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë protestuan në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e masave. Në të kundërtën ata kishin paralajmëruar se nuk do të respektojnë masat e qeverisë.
Po ashtu, qeveria ka lejuar kthimin e stafit esencial në punë. Ndërkaq, më 15 qershor, ministri Vitia tha se, duke rishikuar situatën epidemiologjike, do të vendoset për mbajtjen ose jo të ahengjeve.
Në Kosovë, ditëve të fundit ka pasur një rënie të rasteve të reja me COVID-19.
Gjatë pesë ditëve të fundit, në vend janë regjistruar 110 raste me koronavirus dhe katër viktima.
Ndërkaq, që prej marsit të vitit 2020, e deri më 28 maj, 2021, Kosova ka regjistruar 107.354 raste me COVID-19. Prej tyre, 2.242 pacientë kanë vdekur dhe 102.519 janë shëruar. Raste aktive janë 2.593.
Facebook Forum