Melburni, qyteti i dytë më i madh i Australisë, ka vendosur një izolim shtatë ditësh për të ndaluar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit që është identifikuar së pari në Indi.
Masa prek rreth 5 milionë banorë.
Njerëzit do të mund të largohen nga shtëpitë vetëm për çështje urgjente apo për t’u vaksinuar.
Kjo është hera e katërt që Melburni hyn në izolim të plotë që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020.
Kryeministri i përkohshëm i shtetit, James Merlino, tha se janë parë shumë prova për një shkallë shumë ngjitëse të virusit, një variant shqetësues, i cili po funksionon më shpejt.
"Nëse nuk ndodh diçka drastike, kjo do të bëhet gjithnjë e më e pakontrollueshme", tha ai.
Sipas tij, përhapja e virusit po ndodhë për shkak të variantit të ri të zbuluar së pari në Indi, por ai fajësoi edhe procesin e ngadaltë të shpërndarjes së vaksinave.
Rreth 3.7 milionë doza vaksinimi janë dhënë deri më tani në një popullsi prej 25 milionësh.
Australia deri më tani ka regjistruar pak më shumë se 30.000 raste të të infektuarve dhe 910 vdekje, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Ndërkohë Franca njoftoi se vizitorët nga Britania e Madhe do të obligohen të qëndrojnë në një karantinë të detyrueshme shtatë-ditore për të parandaluar përhapjen e variantit të zbuluar në Indi.
Austria, tha më 26 maj se po ndalonte fluturimet direkte dhe vizitat turistike nga Britania e Madhe dhe Gjermania.