Prokurori i qarkut të Manhatanit Cyrus Vance ka mbledhur një juri të madhe, e cila pritet të vendosë nëse do ta padisë ish-presidentin amerikan Donald Trump, dikë afër tij, apo kompaninë e tij, ka raportuar e përditshmja amerikane Washington Post më 25 maj.
Vance ka hetuar bizneset e Trumpit për gati dy vjet, para se ai të bëhej president dhe mbledhja e jurisë sugjeron se prokurorët besojnë që kanë mjaft të dhëna për të siguruar padinë.
Duke cituar dy persona të afërt me këto zhvillime, Washington Post e ka përshkruar hetimin e Vance si të “zgjeruar”.
Hetimi përqendrohet në praktikat biznesore të Trumpit para se të fitonte pozitën e presidentit, duke përfshirë edhe hetimet nëse Organizata Trump është përfshirë në mashtrime me taksa dhe falsifikim të dokumenteve biznesore.
Vendimi i jurisë së madhe për padinë pritet të marrë disa muaj, pasi paneli duhet të dëgjojë të dhënat e siguruara, ka raportuar Washington Post.
Trump më herët ka kritikuar hetimet për marrëveshjet e tij biznesore.
Ndaras këtij rasti, Zyra e Përgjithshme e Prokurorit në Nju Jork, ka thënë javën e kaluar se një hetim i gjatë civil ka rezultuar me nisje të hetimeve penale për kompaninë e Trumpit.
Prokurorja e Nju Jorkut Letitia James nuk ka treguar se çfarë ka nxitur hetimet panale, mirëpo një vendim i tillë rrit mundësitë për veprime ligjore kundër Trumpit, partnerëve të tij apo Organizatës Trump.
Ky hetim shtetëror është duke u zhvilluar në koordinim me Vance.