Qeveritë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar një shpjegim të menjëhershëm nga Bjellorusia në lidhje me devijimin e një fluturimi të Ryanair me destinacion në Lituani, por i cili ndaloi në Minsk, ku autoritetet ndaluan një nga pasagjerët, aktivistin e opozitës dhe gazetarin, Raman Pratasevich.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda tha se aeroplani ateroi "me forcë" dhe kryeministri polak, Mateusz Morawiecki e quajti ngjarjen një "akt të dënueshëm të terrorizmit shtetëror".
Nauseda kritikoi ndalimin e Pratasevich dhe tha se bashkësia ndërkombëtare "duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm që kjo të mos të përsëritet". Ai e dha këtë deklaratë për Reuters, që pasoi reagimin e tij fillestar për incidentin, të publikuar në Twitter.
"Ngjarje e paparë! Një avion pasagjerësh që fluturonte për në Vilnius u ul me forcë në Minsk”, shkroi ai.
"Aktivisti politik bjellorus dhe themeluesi i Nexta ishte në aeroplan. Ai është ndaluar. Regjimi qëndron prapa këtij veprimi të neveritshëm. Unë kërkoj që Raman Pratasevich të lirohet urgjentisht”, shtoi ai.
Mateusz tha në Twitter se ka kërkuar nga presidenti i Këshillit Evropian të diskutojë për sanksione të menjëhershme kundër Bjellorusisë gjatë një takimi që është planifikuar të mbahet më 24 maj.
Zyrtari i lartë në Ministrinë e Jashtme gjermane, Miguel Berger, gjithashtu reagoi në Twitter për ndalimin e Pratasevichit, duke kërkuar “shpjegim të menjëhershëm nga qeveria bjelloruse për ndryshimin e kursit të fluturimit të avionit të kompanisë Ryan Air brenda BE-së për në Minks dhe për ndalimin e një gazetari”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel shprehu shqetësimin e tij për ngjarjen dhe u bëri thirrje autoriteteve bjelloruse që të lirojnë avionin dhe pasagjerët që udhëtonin me të, duke shtuar se është “thelbësore” që Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil të hetojë këtë ngjarje.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian tha se incidenti kërkon një përgjigje "të fortë dhe të bashkuar" nga Bashkimi Evropian.
Pratasevich u mor nga policia menjëherë pasi avioni i kompanisë, Ryanair, që ishte nisur nga Athina për në Vilnius, ateroi në Bjellorusi, pasi pilotët morën një mesazh se në bordin e avionit gjendej një bombë.
Ryanair tha përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë se ekuipazhi u njoftua nga Bjellorusia për një kërcënim të mundshëm në bord dhe "u udhëzuan të devijonin në aeroportin më të afërt, Minsk".
"Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe pasagjerët dolën jashtë tij, derisa autoritetet lokale kryen kontrollet e sigurisë”, thuhet në deklaratë.
“Asgjë nuk u gjet dhe autoritetet thanë se avioni mund të nisjes së bashku me pasagjerët, pesë orë pas qëndrimit në Minsk”, thuhet më tej në deklaratë.
Komisionerja e BE-së për transport, Adina Valean më vonë konfirmoi se avioni është lejuar që të niset nga Minsku drejt Lituanisë.
Më pas ajo njoftoi se avioni pritet të aterojë në ora 21:19 sipas kohës lokale, duke shtuar se "duhet të verifikohen të gjitha faktet dhe pasagjerët në bord - ne nuk mund ta bëjnë këtë pa arritur (avioni) në Lituani. Kjo situatë do të ketë pasoja".
Më pas, Ryanair njoftoi se avioni ka arritur në Lituani.
Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka urdhëroi që një avion ushtarak të shoqëroi avionin e Ryanair, që ka më shumë se 100 pasagjerë në bord, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve BelTA.
Ndërkaq, Aleanca Veri-atlantike tha se aterimi i detyrueshëm i avionit në Minsk "ishte një incident serioz dhe i rrezikshëm", duke kërkuar hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje.
"Autoritetet bjelloruse duhet të sigurojnë kthimin e të gjithë pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit në Lituani", tha një zëdhënës i NATO-s.
"Ne jemi duke monitoruar nga afër aterimin me forcë në Bjellorusi të avionit të Ryanait, që ishte nisur nga Athina në Vilius, dhe për raportimet për ndalimin e opozitarit, Roman Protasevich", shtoi NATO-ja.
Nga selia e lideres së opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya thanë se avioni ishte afër kufirit me Lituaninë, kur pilotët morën mesazhin se kishte bombë në bord. Avioni, sipas tyre, ishte më afër Lituanisë, por ata u urdhëruan që të ateronin në Minsk.
“Regjimi detyroi aterimin e avionit në Minks me qëllim që të arrestojë gazetarin dhe aktivistin, Raman Pratasevich. Ai në Bjellorusi përballet me dënim me vdekje. Ne kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm, hetim të incidentit dhe sanksione kundër Bjellorusisë”, shkroi Tsikhanouskaya në Twitter.
Pratasevich ishte administratori kryesor i Nexta-Live në platformën Telegram, që ka mbuluar protestat që shpërthyen në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit të vitit të kaluar.
Në nëntor, autoritetet Bjelloruse njoftuan se Pratasevich së bashku me Stsyapan Putsila - gjithashtu një administrator i Nexta-Live - po hetoheshin për dyshime për organizimin të tubimeve të paligjshme, prishje të rendit shoqëror dhe nxitje të urrejtjes shoqërore.
Bjellorusia është tronditur nga protestat që kur Lukashenka, i cili është në pushtet që nga viti 1994, tha se ka fituar në zgjedhjet presidenciale, të cilat u përshkruan me akuza për manipulim votash. Që atëherë, mbi 30 mijë persona janë arrestuar, qindra janë rrahur ose torturuar.
Pratasevich ka qenë pjesë e bursës Valclav Havel në Pragë. Kjo bursë për gazetarë – që është nismë e përbashkët e Radios Evropa e Lirë dhe Ministrisë së Jashtme çeke – u dedikohet gazetarëve nga shtetet e Partneritetit Lindor të BE-së dhe Rusisë.
Facebook Forum