Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj e ka konsideruar suspendim të politikës së jashtme të Kosovës, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të Kosovës "të emëruar politikisht".
Sipas Hoxhajt, njëherësh ish-ministër i Punëve të Jashtme në Kosovë, ky vendim përbën skandalin më të madh në politikën e jashtme.
“Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me ‘çelës politik’ është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”, ka thënë mes tjerash Hoxhaj.
Më 19 maj, Ministria e Jashtme e Kosovës i ka propozuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu lirimin nga detyra të këtyre ambasadorëve.
Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.
“Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në ligj.
Në rast se presidentja Osmani-Sadriu miraton propozimin e MPJ-së, procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë.
Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës.
Por, procedura nuk përfundon me kaq. Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.
Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka hapur misione diplomatike në të gjitha kontinentet.
Sidoqoftë, Ministria e Jashtme ka qenë shpesh cak i kritikave të shumta, pas raportimeve për emërime në poste diplomatike të familjarëve të personave të angazhuar në politikë.