Ministria e Jashtme e Kosovës i ka propozuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të Kosovës "të emëruar politikisht".
Lajmi është konfirmuar nga zëvëndësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht”, ka shkruar Ahmeti.
Ai nuk ka dhënë detaje pse është bërë një propozim i tillë.
Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.
“Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në ligj.
Në rast se presidentja Osmani-Sadriu miraton propozimin e MPJ-së, procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë. Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës. Por, procedura nuk përfundon me kaq. Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.
Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka hapur misione diplomatike në të gjitha kontinentet.
Sidoqoftë, Ministria e Jashtme ka qenë shpesh cak i kritikave të shumta, pas raportimeve për emërime në poste diplomatike të familjarëve të personave të angazhuar në politikë.