Ndërlidhjet

Rusia mohon se ka qenë mbrapa sulmeve në SolarWinds


Sergei Naryshkin, udhëheqës i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës në Rusi.
Sergei Naryshkin, udhëheqës i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës në Rusi.

Sergei Naryshkin, udhëheqës i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës në Rusi ka mohuar se agjencia e tij ka qenë mbrapa krimeve kibernetike në kompaninë SolarWinds.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane dhe asaj britanike kanë fajësuar Moskën për këtë sulm dhe më pas kanë pasuar sanksionet amerikane kundër Rusisë.

Në sulmin e dhjetorit të vitit të kaluar, hakerët kanë vënë një kod në softuerin e krijuar nga kompania amerikane SolarWinds, i cili më pas është shkarkuar nga disa institucione të qeverisë amerikane dhe korporata evropiane.

“Pretendimet përbëjnë një roman të keq detektiv”, ka thënë Naryshkin për BBC-në në gjuhën ruse.

Naryshkin është aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.

I pyetur nga BBC-ja nëse Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës në Rusi ka qenë përgjegjës për sulmin ndaj SolarWinds, Naryshkin ka thënë se ai do të lavdërohej nëse kjo agjenci do të ishte përgjegjëse për një sulm të tillë, mirëpo ai nuk mund të “pretendojë për arritjet kreative të të tjerëve”.

Kryespiuni rus ka sugjeruar se taktikat e përdorura në këtë operacion kanë qenë të ngjashme me ato që përdoren nga agjenci amerikane apo ato britanike të inteligjencës.

Tensionet në mes të Rusisë dhe Perëndimit kanë vazhduar të përkeqësohen për çështje të lidhura me sulmet kibernetike në SolarWinds në kompjuterët amerikanë, por edhe për kërcënimet ushtarake në Ukrainë dhe trajtimin e Rusisë ndaj aktivistit të burgosur opozitar Aleksei Navalny.

Administrata amerikane e presidentit amerikan Joe Biden veçse ka vendosur sanksione dhe ka dëbuar diplomatë rusë për një mori të ankesave amerikane për aktivitetet e Rusisë, çka ka shtyrë Moskën të marrë masa të njëjta kundër diplomatëve amerikanë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG