Ndërlidhjet

Zaev: Shkupi dhe Tirana të mos ndahen në rrugën drejt BE-së


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Bruksel, 10 maj, 2021.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Bruksel, 10 maj, 2021.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë së bashku rrugën e integrimit evropian, apo njëkohësisht t’i nisin bisedimet për anëtarësim në BE, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pas takimit të hënën në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zaev, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve MIA, tha se ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është në interesin e askujt.

Siç transmeton MIA, Zaev i tha presidentes së KE-së se “identiteti dhe gjuha nuk duhet të jenë objekt i negociatave me BE-në në asnjë rrethanë”.

“Është në interesin tonë të ecim së bashku. Interesi i Shqipërisë është të shkojmë së bashku, të ndihmojmë njëri-tjetrin së bashku gjatë gjithë këtij procesi... Ne e meritojmë nisjen e bisedimeve si askush tjetër. Gjashtëmbëdhjetë vjet jemi me statusin e shtetit kandidat, tre vjet pas Marrëveshjes së Prespës, njëqind ditë pas reformave të përfunduara. Këto, në vitin 2020, u konfirmuan plotësisht nga 27 vendet anëtare të Unionit. Ne vazhdojmë të forcojmë shtetin e së drejtës, e shohim atë çdo ditë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e cila nuk është e lehtë për asnjë qeveri në botë, nuk është as për ne, por është e ardhmja evropiane”, tha Zaev.

Javën e kaluar, komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut, apo e para t’i nisë bisedimet e anëtarësimit në BE, edhe pse zyrtarë të lartë evropianë disa herë kanë theksuar se dy shtetet duhet në bllok t’i hapin bisedimet e anëtarësimit.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha për agjencinë MIA se në takimin me kryeministrin Zaev, presidentja e KE-së, von der Layen, përsëriti mbështetjen e saj për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Për këtë gjë, BE-ja ka dhënë dritën jeshile më shumë se një vit më parë, por negociatat nuk kanë mundur të nisin për shkak të vetos së Bullgarisë.

“Ajo riafirmoi mbështetjen e saj për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe mirëpriti reformat në Maqedoninë e Veriut në kuadër të procesit të anëtarësimit dhe i inkurajoi ata të vazhdojnë me reformat”, tha Mamer.

Sipas tij, presidentja e Komisionit Evropian inkurajoi Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet, në mënyrë që të zhbllokohet procesi integrues.

Në nëntor të vitit të kaluar, Sofja ka përdorur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar me zgjidhjen e dallimeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti kanë “rrënjë bullgare”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG