Ndërlidhjet

HRW bën thirrje për zbatimin e Konventës së Stambollit


Foto ilustrim.
Foto ilustrim.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të forcojnë përpjekjet për të luftuar dhunën ndaj grave duke ratifikuar dhe zbatuar Konventën e Stambollit që synon parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

HRW e bëri thirrjen përmes një deklarate më 10 maj, në prag të 10 vjetorit të Konventës.

"Anëtarët e Këshillit të Evropës duhet të tregojnë se janë serioz në lidhje me përparësinë e sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha grave dhe vajzave duke zbatuar Konventën e Stambollit", thuhet në deklaratën e HRW.

Konventa është ratifikuar nga 33 vende nga 47 sa janë anëtare të Këshillit të Evropës.

Dymbëdhjetë të tjerë e kanë nënshkruar, por ende nuk e kanë ratifikuar konventën, përfshirë Ukrainën, e cila e nënshkroi atë më 2011.

Azerbajxhani dhe Rusia janë vendet e vetme anëtare të Këshillit të Evropës që nuk e kanë nënshkruar traktatin.

Grushti i Erdoganit mbi të drejtat e grave
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:50 0:00

HRW paralajmëroi se disa qeveri janë tërhequr ose kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga traktati ndërsa të tjerët kanë refuzuar ta ratifikojnë atë pavarësisht nga "raportet e rritura të dhunës në familje" gjatë masave të izolimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

"Pandemia e COVID-19 e ka nxjerrë në pah faktin se dhuna ndaj grave është një nga abuzimet më të gjera të të drejtave të njeriut, dhe një kërcënim ditor për jetën dhe shëndetin e grave dhe vajzave në të gjithë botën", tha Hillary Margolis, studiuese në HRW.

Sipas organizatës, Konventa e Stambollit "vendos standarde të fuqishme, ligjërisht të detyrueshme për qeveritë për të parandaluar dhunën ndaj të gjitha grave dhe vajzave dhe për të kërkuar përgjegjësi ndaj abuzuesve".

HRW vuri në dukje se traktati urdhëron mbrojtje nga format e dhunës që shpesh nuk përfshihen në legjislacionin kombëtar siç janë ngacmimi seksual ose martesa e detyruar dhe kërkon mbrojtje për të gjitha viktimat e dhunës - pavarësisht nga mosha, etnia dhe orientimi seksual.

Turqia në fillim të këtij viti vendosi të tërhiqet nga konventa. HRW ka thënë se vendimi paraqet "një pengesë për të drejtat e grave në vend".

Në vitin 2020, ministri i drejtësisë i Polonisë njoftoi se do të procedojë me tërheqjen nga konventa, ndërsa parlamentet në Hungari dhe Sllovaki bllokuan ratifikimin e saj.

Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë vendosi në 2018 që përdorimi i "gjinisë" nga konventa e bën atë antikushtetuese.

"Politikanët dhe grupet konservatore kanë pretenduar gabimisht se konventa kërcënon familjet 'tradicionale' dhe promovon homoseksualitetin", tha HRW.

Sipas organizatës, disa qeveri "pretendojnë se ligjet e brendshme sigurojnë mbrojtje për gratë dhe përgjegjësi", ndërsa "shumë të mbijetuar vazhdojnë të përballen me stigmatizim, qëndrime shpërfillëse nga autoritetet dhe presionin shoqëror për të heshtur".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG