Programi i Qeverisë së Kosovës më shumë ka një komponent sociale sesa zhvillimore, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu. Ndërkohë, për kryetarin e Odës së Afarizmit, Skender Krasniqi, programi që është prezantuar gjatë javës së kaluar nga kryeministri Albin Kurti, do të duhej të ishte më i detajuar.
Programi i qeverisë, përveç tjerash, parasheh që asnjë qytetar të mos jetojë në varfëri ekstreme. Për realizimin e kësaj, qeveria ka në plan reformimin e skemave sociale dhe aktivizimin e fuqisë punëtore.
Në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, vlerësohet se 18 për qind e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë, me 45 euro në muaj dhe 5.1 për qind e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme, me nën 1.90 dollar amerikan në ditë.
Në plan është paraparë edhe një lloj rimbursimi për familjet e varfra, por që nuk jepen detaje se si do të bëhet. Edhe rritja e pagës minimale në 250 nga 130 euro sa është aktualisht dhe ngritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, është në plan të Qeverisë së Kosovës.
Por, me çfarë mjete do të bëhen të gjitha këto?
Profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë se me një buxhet prej mbi 2.4 miliardë euro sa ka Kosova në këtë vit, është vështirë të realizohen pikat e planit të qeverisë.
“Duhet kuptuar që ai buxhet është zotim dhe nuk është para e gatshme. E tëra kjo kërkon angazhim, kërkon përkushtim. Të realizohen të gjitha këto premtime duke pasur parasysh edhe rritjen e pagës minimale, do të jetë një barrë shumë e vështirë. Nëse mendohet se kjo do të arrihet brenda një viti, është fontanë dëshirash”, thotë Gërxhaliu.
Programit, shton Gërxhaliu, i mungon ndarja kohore afatshkurtër, afatmesme apo afatgjate. Megjithatë, sipas tij, asgjë nuk mund të realizohet brenda një viti.
“Dua të besoj që me kalimin e kohës do të ketë një prioritizim të këtyre sfidave në aspektin kohor afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë”, thotë Gërxhaliu.
Ai shton se për zbatimin e planit, bashkëpunimi publiko-privat dhe dialogu mes opozitës dhe pushtetit duhet të jetë prioritet. Në planin e Qeverisë së Kosovës, thuhet se këto prioritete do të zbatohen brenda kufijve buxhetorë. Prandaj, ekzekutivi planifikon që çdo fillimvit financiar ta rishikojë programin përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve.
Kërkohet plan i detajuar
Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi, thotë se presin që të kenë një plan më të detajuar, një plan i cili, siç thotë Krasniqi, do të tregonte në periudha afatshkurtra synimet e qeverisë. Nga ajo që është paraqitur deri më tani, Krasniqi thotë se plani në aspektin social, kërkon shumë mjete buxhetore.
“Ne i përshëndesim veprimet për përkrahje sociale, por për të gjitha këto duhet të ketë një buxhet tjetër, jo ky që është aktualisht. Duhet rritje e buxhetit. Për rritje të buxhetit duhet një politikë më e mirë fiskale si dhe infrastrukturë më të mirë ligjore”, thotë Krasniqi.
Pjesë integrale e planit të Qeverisë së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është edhe diaspora.
Sipas këtij plani, përmes krijimit të instrumenteve për investim, do të sigurohet që kapitali i diasporës do të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Prandaj duke filluar nga ky vit, do të emetohen bono thesari të dedikuara vetëm për mërgatën.
Ndryshe, problemet ekonomike dhe sociale, Kosovën e kanë përcjellë ndër vite.
Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4 për qind e cila ishte para pandemisë nuk ka arritur ta zbusë nivelin e papunësisë, që është rreth 25 për qind. Ky nivel i papunësisë ka bërë që Kosova të jetë shteti më i varfër në rajon, duke luftuar me nivele të larta të varfërisë.
Facebook Forum