Ndërlidhjet

Në Gjermani “duket se është ndalur” vala e tretë e koronavirusit


Një qendër e vaksinimit kundër koronavirusit në Berlin të Gjermanisë.
Një qendër e vaksinimit kundër koronavirusit në Berlin të Gjermanisë.

Gjermania duket se ka ndaluar rritjen e infeksioneve të shkaktuara nga varianti britanik i koronavirusit, tha të premten ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.

“Vala e tretë duket se është ndalur”, tha Spahn në një konferencë për media në Berlin.

“Shifrat e infeksionit po bien përsëri, por jemi ende në nivele të larta. Ato nuk po bien kudo me të njëjtin ritëm, por po bien”, tha ai.

Autoritetet në Gjermani raportuan të premten për 18,485 raste të reja me koronavirus.

Shifra është më e ulët krahasuar me 27,543 raste të reja pozitive në të njëjtën ditë, dy javë më parë.

Numri i infeksioneve të reja për 100,000 banorë, gjatë shtatë ditëve të fundit, ka qenë 125.7.

Sipas masave të ndërmarra në prill, zonat me shkallë të infeksionit nën 100 lejohen të lehtësojnë disa kufizime, si orën policore dhe kufizimin e të tubuarve.

Por, Spahn tha se lehtësimi i shpejtë i masave “vetëm se do ta ndihmojë virusin”.

“Në këtë fazë të pandemisë, është me të vërtetë e rëndësishme që të mos luhet bixhoz me atë që është arritur”, tha Spahn.

Gjermania ka regjistruar në total mbi 3.5 milionë raste me koronavirus dhe mbi 84,000 viktima.

Pas një fillimi të ngadalshëm, Gjermania ka përshpejtuar fushatën e vaksinimit në prill dhe, javën e kaluar, ka dhënë mbi një milion doza në një ditë të vetme.

Rreth 31.5 për qind e popullsisë gjermane ka marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit deri të premten.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG