Ndërlidhjet

Kusari – Lila i quan të papranueshme deklaratat e PDK-së për ministren Gërvalla


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila, i ka quajtur të papranueshme, ato që i ka cilësuar ofendime drejt ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës Donika Gërvalla.

Megjithatë, Kusari-Lila nuk ka pranuar të përmendë se për çfarë ofendime saktësisht e ka pasur fjalën, kur është deklaruar mbi ecurinë e seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

“Sot ishim dëshmitarë të skenave joparlamentare, të papranueshme për një demokraci, për një vend në të cilin në parlament duhet të debatohet, diskutohet, mund edhe të mos pajtohemi natyrisht, kemi pozitë e opozitë, por jo edhe të fyhemi, shahemi e deri tek ofendimet dhe kërcënimët, të cilat sot u dëgjuan nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës”.

Ajo ka thënë se seanca nga fillimi ka nisur me tensione, përmes deklarimeve për tema jashtë rendit të ditës.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, janë përplasur me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Incidentit i ka paraprirë një debat i ashpër në mes të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri si dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në fjalën e tij, deputeti Tahiri e ka quajtur ministren Gërvalla “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë”.

Këto akuza, Tahiri i ka bërë bëri duke iu referuar një deklarate që Gërvalla e kishte dhënë në media vite më parë sa u takon Dhomave të Specializuara të Kosovës si dhe ish-krerëve të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët i kishte quajtur njerëz të krimit.

Replikat mes deputetit Tahiri dhe ministres Gërvalla shkaktuan fyerje dhe ofendime në mes të deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Kusari-Lila ka thënë se synimet për ndryshime të qëndrimeve për Gjykatën Speciale janë për keqardhje.

“Qasja që sot synohet të ndërrohet e vërteta, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2015, kush e promovoi, kush e votoi dhe kush e instaloi Gjykatën Speciale dhe se si sot përceptohet dhe deklarohen po të njëjtit, është për keqardhje”, ka thënë mes tjerash ajo.

Në momentin e largimit të deputetëve të PDK-së nga salla, deputetët Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati janë fjalosur me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.

Kusari-Lila ka thënë se ministri Peci ka reaguar si shenjë mbrojtjeje ndaj ministres Gërvalla.

Në këtë fjalosje është përfshirë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Salih Zybën dhe Besim Muzaqin.

Para se të fillonte incidenti, seancën e kanë lëshuar edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi i është ndërprerë fjala shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashit.

Në seancën e 6 majit ishte planifikuar që mes tjerash, të shqyrtoheshin rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG