Ndërlidhjet

Kritikët: Ndalesa e Australisë për kthim nga India, raciste


Ilustrim.
Ilustrim.

Kërcënimi i Australisë për të burgosur qytetarët që kthehen në këtë vend nga India, ka nxitur reagime të ashpra, pasi kritikët e kanë parë këtë masë si “raciste” dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Nga dita e hënë, secili australian që hyn në këtë shtet nga India, përballet me gjoba dhe deri në pesë vjet burgim.

Ky vendim është marrë pasi autoritetet në Kanberra kanë ndaluar të gjitha fluturimet nga India deri më 15 maj.

Kryeministri australian Scott Morrison ka hedhur poshtë akuzat për racizëm.

“Të njëjtat akuza janë bërë kundër qeverisë edhe një vit më parë kur kemi mbyllur kufijtë me Kinën”, ka thënë ai për një radio në Sidenj.

“Nuk ka politikë apo ideologji në pandemi. Nuk ka të bëjë asgjë me politikë, ky është virus”.

Mediat lokale kanë thënë se kjo është hera e parë që australianët penalizohen për kthim në vendin e tyre.

Besohet se në Indi janë rreth 9,000 australianë.

Qeveria ka thënë se masat, të cilat janë prezantuar të shtunën, janë të bazuara në këshilla mjekësore dhe synojnë të mbrojnë komunitetin.

India aktualisht është epiqendër e pandemisë, pasi për 10 ditë me radhë ka regjistruar mbi 300,000 raste ditore të infektimit me koronavirus.

Zyrtarët kanë thënë se rritja e shkallës së infektimit si pasojë e arritjes së pasagjerëve nga India ka rritur shqetësimet.

Australia ka zbatuar një strategji për eliminim të koronavirusit në territorin e vet, kryesisht përmes kontrolleve të ashpra kufitare dhe masave të detyrueshme të karantinës.

Prej fillimit të pandemisë, Australia ka regjistruar 910 viktima me koronavirus, më pak se shumica e shteteve tjera në botë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG