Shtetet e Bashkuara do t’i kufizojnë udhëtimet nga India, nisur nga data 4 maj, për shkak të situatës së rëndë me koronavirus.
Vala e dytë e koronavirusit është duke shkatërruar pjesë të Indisë.
Autoritetet thanë të premten se kanë diagnostikuar edhe 386,452 raste të reja pozitive dhe 3,500 viktima.
Shifra e rasteve të reja është më e larta e regjistruar brenda një dite në ndonjë vend.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se administrata e presidentit Joe Biden ka vendosur të kufizojë udhëtimet nga India, pas këshillave të dhëna nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.
“Politika do të zbatohet për shkak të numrit të lartë të rasteve me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] dhe varianteve të shumta [të koronavirusit] që qarkullojnë në Indi”, tha Psaki.
Numri total i të infektuarve në Indi ka kaluar tashmë 18.7 milionë, ndërsa i viktimave është mbi 208,000.
Ekspertët besojnë se këto shifra janë shumë më të larta, por është e paqartë se për sa saktësisht.
Dërgesa e parë me furnizime emergjente mjekësore nga SHBA-ja arriti në Indi të premten.
Ajo përfshin barna, bombola me oksigjen dhe teste të shpejta diagnostikuese.
Një ekip i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA po ashtu pritet të arrijë në Indi, për t’i ndihmuar zyrtarët shëndetësorë atje në frenimin e përhapjes së koronavirusit.