Kompania amerikane Netflix ka shtuar Kosovën në platformën e saj me kodin telefonik +383.
Kështu ka thënë Sovran Hoti përmes një postimi në Facebook, i cili dy muaj më parë pati nisur një fushatë për njohje të Kosovës nga kjo kompani.
Ai ka thënë se pas 37 mijë nënshkrimeve, Netfix ka dëgjuar kërkesën e atyre që kanë nënshkruar peticionin.
“Presim të pasojë e njëjta edhe për vendnodhjen e përdoruesve kosovarë”, ka thënë Hoti.
Ai pati treguar për rubrikën Hashtag të Radios Evropa e Lirë se pse ka marrë këtë iniativë.
“Kjo iniciativë lindi pasi që në kohën e pandemisë, duke e përdorur Netflixin, më shumë sesa në kohërat e mëparshme, ndodhi që e shihja shumë shpesh lokacionin tim si vendndodhje në Serbi”.
Hoti ka thënë se kjo gjë i ka penguar, andaj ka kërkuar ndihmën e gjithë kosovarëve.
Mirëpo problemi i identitetit digjital të Kosovës, nuk është problem i ditëve të sotme.
Prej vitit 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, ajo vazhdon të mos ketë kodin e saj në internet.
Prandaj kur qytetarët qasen në internet nga territori i Kosovës IP-adresat e tyre lidhen me ato të vendeve të rajonit si Shqipëria, Serbia apo Maqedonia e Veriut.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kosovës, ka thënë muaj më parë se ndarja e domenit përbën një proces të gjatë negociatash.