Nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, thonë se Ministria e Arsimit fillimisht duhet të sigurojë kushtet elementare për mësimin klasik, e më pas të investohet në zhvillimin e librave digjitalë, ashtu siç ka premtuar kjo ministri.
Blendi Hodai, kryetar i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, ka theksuar se mësimi me librat digjitalë edhe më shumë do të thellojë hendekun social të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme.
“Ne nuk jemi kundër digjitalizimit, por vlerësojmë se digjitalizimi është kundër vendit tonë, duke pasur parasysh mësimin online, që shumë nxënës nuk kishin qasje për shkak të mungesës së pajisjeve dhe infrastrukturës digjitale. Pra kur ju (Ministria e Arsimit) flisni për digjitalizim, ne po dëgjojmë diçka abstrakte, pasi si mund të flasim për një gjë të tillë, ndërkohë që shkollat i kemi pa pajisje digjitale”, thotë Hodai.
Ai nënvizon se pas debatit të hapur edhe në rrjetet sociale, ku marrin pjesë mbi 60 mijë prindër, por edhe debateve në këshillin e prindërve dhe sindikatat e pavarura, do të merret vendim për hapat e mëtejmë. Hodai thotë se institucionet nuk do të mund ta bëjnë të obligueshme për nxënësit që të përdorin libra digjitale, nëse ata nuk kanë pajisje teknologjike për ta zhvilluar mësimin në këtë mënyrë.
Ndërkaq, prindërit thonë se shkollat në Maqedoninë e Veriut nuk janë të përgatitura që t’i përgjigjen sfidës, sa i përket mësimit me libra digjitale.
“Ne edhe pse dëshirojmë të kapim hapin me botën bashkëkohore, e theksoj se shkollat tona nuk janë të përgatitura për libra digjitale, ashtu si në vendet ku zbatohet një gjë e tillë. Mendoj se shumë po kopjojmë nga sistemet e tjera, e peshuar mirë gjendjen reale në të cilën ndodhen shkollat tona. Nuk jam i bindur se një gjë e tillë do të jetë e mundur që të zbatohet në shumë shkolla të vendit, për shkak se kushtet nuk e mundësojnë një gjë të tillë”, thotë Branko Simonovski, prind i dy nxënësve të shkollës fillore.
Por, nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut thonë se aplikimi i librave digjitale paraqet sfidë si për nxënësit, prindërit po ashtu edhe për mësuesit.
“Është e pakuptimtë të ndahemi pro dhe kundër digjitalizimit, kur e gjithë bota po digjitalizohet. Për më tepër, shteti dhe sistemi arsimor dëshmuan se brenda vetëm një muaji mund të transformojnë mësimin dhe ai po vazhdon në mënyrë digjitale për tre tremujorë rresht, gjë që vetëm dy vjet më parë konsiderohej e pamundur”, ka thënë ministrja e Arsimit, Milla Carovska.
Carovka ka thënë se digjitalizimi nuk është trend, por domosdoshmëri e kohës, duke sqaruar se çdo nxënës, i cili për ndonjë arsye nuk do të mund të përdorë librat digjitalë, do të mësojë përmes librave të shtypur.
Në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi ka reagime për shkak të përmbajtjeve fyese ndaj shqiptarëve në disa njësi mësimore në lëndë të caktuara. Mostërheqja e këtyre librave nga përdorimi është arsyetuar me koston e lartë të shtypjes së sërishme të teksteve shkollore.
Facebook Forum