Nxënësit e arsimit fillor dhe të arsimit të mesëm në Kosovë do të mbajnë mësim plotësues për orët e humbura si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi përmes një postimi në Facebook se mësimi plotësues do të fillojë më 3 maj në objekte shkollore dhe do të zgjasë deri në përfundim të vitit mësimor 2020/2021.
“Për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (klasa I-V), mësimi plotësues do të organizohet në lëndët e gjuhës amtare dhe matematikë, ndërsa për nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX) dhe të arsimit të mesëm të lartë (X-XII), mësimi organizohet në lëndët e gjuhës amtare, matematikë dhe shkenca natyrore”, tha Nagavci.
Në valën e parë të pandemisë së koronavirusit, pranverën e kaluar, mësimi në të gjitha nivelet në Kosovë është zhvilluar online për disa muaj.
Mësimi ka kaluar në distancë edhe në faza të tjera të pandemisë, varësisht masave që kanë ndërmarrë autoritetet për frenimin e koronavirusit.
Për herë të fundit, nxënësit e arsimit parauniversitar - përjashtuar ciklin e ulët nga klasa e parë deri në të pestën - kanë mbajtur mësim online nga data 12 prill deri më 18 prill, 2021.
“Humbja e orëve mësimore, si dhe pamundësia për qasje të barabartë në mësimin në distancë kanë krijuar pabarazi te nxënësit, por edhe rrezik që ata të mbesin pas në procesin edukativo-arsimor”, tha Nagavci dhe shtoi se mësimi plotësues “është një prej mundësive që do të lehtësojë humbjen e mësimit” dhe do të përmirësojë rezultatet e nxënësve.