Kreu i landit më të populluar të Gjermanisë do të jetë kandidat për të pasuar kancelaren Angela Merkel, në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit.
Armin Laschet, kryeministër i landit Norderhajn-Vestfallen, është kryetar i Unionit Demokristian (CDU) - partisë nga vjen Merkel.
Ai ishte në garë me Markus Soederin, i cili është kryetar i partisë simotër të CDU-së, CSU.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA raporton se në takimin e udhëheqjes së CDU-së, 31 anëtarë votuan për Laschetin, nëntë për Soederin dhe gjashtë abstenuan.
Soeder e pranoi humbjen dhe tha se Laschet “do të jetë kandidat për kancelar nga Unioni”.
“Do ta mbështesim pa inat, me gjithë forcën tonë”, u tha Soeder gazetarëve në Mynih.
Unioni i tyre është forca e fundit politike në Gjermani që emëron kandidatin për kancelar në zgjedhjet e 26 shtatorit.
Partia e të Gjelbërve ka nominuar më 19 prill Annalena Baerbockun si kandidate për kancelare, ndërsa disa muaj më herët, Social-Demokratët kanë nxjerrë ministrin e Financave, Olaf Scholz, si kandidat të tyre për kancelar.
Merkel, gati 16 vjet në pushtet, nuk do të garojë për mandatin e pestë.