Ndërlidhjet

Mjekët paralajmërojnë se Navalny mund të vdesë shpejt


Lideri opozitar rus Aleksei Navalny.
Lideri opozitar rus Aleksei Navalny.

Presidenti amerikan Joe Biden e ka konsideruar gjendjen e kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny “të padrejtë”, pasi mjekët dhe zëdhënësja e Navalnyt kanë paralajmëruar se ai mund të vdesë shpejt, për shkak të grevës së urisë.

“Është absolutisht, absolutisht e padrejtë dhe aspak e duhur”, u ka thënë Biden gazetarëve në Uilmington, Delauer, duke iu përgjigjur pyetjes rreth raportimeve për përkeqësim të gjendjes shëndetësore të Navalnyt.

Biden po ashtu ka theksuar se gjendja e tij e përkeqësuar shëndetësore është edhe rezultat i helmimit të Navalnyt në verën e vitit të kaluar.

Shëndeti i Navalnyt është i dobët dhe ai mund të përballet me sulm në zemër “në çdo minutë”, sipas mjekes së tij personale dhe tre mjekëve të tjerë.

Letra është postuar më 17 prill, në llogarinë e mjekes personale të Navalnyt, Anastasia Vasilyeva, e cila ka thënë se ekipi i mjekëve ka shprehur gatishmëri për të organizuar negociata dhe konsultime.

Navalny, 44-vjeçar, ka bërë të ditur se do të nisë grevën e urisë në fund të muajin të kaluar, si shenjë proteste ndaj refuzimit të autoriteteve të burgut për t’i lejuar atij qasje në kujdes të duhur mjekësor për dhimbjen që ka në shpinë dhe këmbë.

E përditshmja amerikan The New York Times ka trajtuar situatën e Navalnyt në një shkrim editorial më 17 prill, duke thënë se vendimi nëse mjekët lejohen që ta trajtojnë Navalnyn “varet qartësisht nga presidenti Vladimir Putin”.

”Putin duhet ta kuptojë se lënia e Navalnyt që të vdesë në një kamp pune do ta konfirmonte në mënyrë solide se Putin është ‘vrasës’, përshkrim që i ka bërë së fundmi presidenti Biden, dhe despot që është i gatshëm të shkojë deri në fund kundër kritikëve të tij”, është thënë në shkrimin editorial.

Aty është përmendur edhe që më shumë se 70 shkrimtarë, artistë dhe akademikë të njohur ndërkombëtarë kanë nënshkruar një letër për Putinin, duke bërë thirrje që Navalny të trajtohet nga mjekët, e drejtë që i takon sipas ligjit rus.

Letra është publikuar në gazetat britanike, franceze, gjermane dhe italiane.

Në mesin e personave të mirënjohur që kanë nënshkruar letrën janë laureatët e çmimit Nobel në Letërsi si John Coetzee, Svetlana Aleksievich, Louise Glueck, Herta Mueller, dhe Orhan Pamuk; fituesi i Çmimit Pulitzer Art Spiegelman; aktorët Stephen Fry, Benedict Cumberbatch, dhe David Duchovny; dhe autorët Tom Stoppard, J.K. Roëling, dhe Michael Cunningham.

Navalny është arrestuar në muajin janar, pasi ka arritur nga Gjermania në Rusi.

Në Berlin ai është trajtuar nga helmimi që i është bërë në Siberi.

Nëpër laboratorët evropianë është vërtetuar se Navalny është helmuar me agjent nervor.

Ai ka akuzuar Putinin për helmimin, pretendim që Kremlini e mohon.

Një gjykatë në Moskë e ka dënuar Nanvalnyn më 2 vjet e gjysmë burgim, për akuza që ai i konsideron të motivuara politikisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG