Qeveria e Kosovës vlerëson se në rastin ndarjes së ministrive për përfaqësuesit e pakicës serbe është respektuar Kushtetuta e vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar të mërkurën kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi, një letër përgjigje ndaj kërkesës së parashtruar nga 11 deputetë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria rithekson se përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës janë konsultuar, dhe propozimi i tyre është marrë parasysh në lidhje me emërimin e ministrit që përfaqëson komunitetin serb në Qeverinë e Kosovës”, thuhet në letren të cilën e ka bërë publike Zyra për Komunikim Publik e Qeverisë së Kosovës.
Pse shkoi kjo çështje deri në Kushtetuese?
Më 29 mars, partia Lista Serbe paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për, siç tha, mbrojtjen e interesave të popullit serb.
Ankesa u paraqit në emër të dhjetë deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane.
Në njoftimin për media thuhej se ankesa “sfidon vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë, më 22 mars, 2021, me të cilin popullit serb i është dhënë vetëm një ministri nën menaxhim, edhe pse duheshin dy”.
“Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me ligjin kushtetues, duke respektuar të drejtat dhe interesat e popullit serb, si dhe të komuniteteve të tjera joshumicë”, thuhej në komunikatë.
Po sipas komunikatës, vendimi “për të mohuar përfaqësimin e drejtë të serbëve në institucionet e nivelit qendror është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore”.
Në përbërjen e Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për Listën Serbe është ndarë Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Kushtetuta e Kosovës parashikon një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë.
Nëse Qeveria ka më shumë se 12 ministri, siç është rasti me kabinetin e ri, Kushtetuta e Kosovës thotë se ajo duhet të ketë një ministër të tretë për të përfaqësuar komunitetet joshumicë në Kosovë.
Përveç ministrit nga komuniteti serb, Qeveria e re e Kosovës ka dy ministra nga komunitetet e tjera joshumicë.
Ministër për Zhvillim Rajonal është Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe ministër i Administrimit të Pushteti Lokal është Elbert Krasniqi, nga radhët e komunitetit egjiptian.
Emilija Rexhepi, nga komuniteti boshnjak, është emëruar zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 22 mars dhe në po të njëjtën ditë u votua qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Qeveria Kurti 2 mori besimin e 67 deputetëve. Për të votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të komuniteteve joserbe.