Ndërlidhjet

BE-ja nuk komenton raportimet për letrën e Janshas dhe ndryshimet e kufijve


Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian dhe i shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian Peter Stano, ka thënë se zyrtarët e bllokut evropian nuk janë në dijeni për ndonjë dokument të dërguar nga kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha, për të cilin kanë raportuar mediat në Ballkan, e që supozohet se flet për ndryshimin e kufijve.

Mediat, sidomos në Bosnje e Hercegovinë, kanë shkruar se Jansha përmes një letre jozyrtare, që supozohet se i është dërguar Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, ka sugjeruar “përmbylljen e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke ndryshuar edhe kufijtë e shteteve”.

“Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë dokument të tillë dhe nuk mund të komentojmë spekulimet rreth çështjeve të ngritura në media” ka thënë ky zëdhënës i BE-së, duke shtuar se ata janë në dijeni për këto shkrime në media por nuk kanë çfarë të thonë për këtë temë në mënyrë specifike, pasi ata vetë nuk kanë parë ndonjë dokument të tillë.

Sa i përket idesë për ndryshimin e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ky zyrtarë ka thënë se pozicioni i BE-së është i qartë dhe nuk ka çfarë të ndryshohet.

“Mund të themi se, sa i përket kufijve pozicioni i BE-së është i qartë dhe në çështjen e kufijve nuk ka çfarë të ndryshohet. Ne duhet të punojmë drejt bashkëpunimit rajonal, pajtimit dhe drejt zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në rajon, pa hyrë në fushat e rrezikshme, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e BE-së”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Idetë për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan kishin lindur në vitin 2018 kur flitej se presidenti i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq po punojnë për një marrëveshje që mund të përfshinte edhe shkëmbimin e territoreve.

Këto ide patën hasur në kundërshtime të forta të Gjermanisë dhe disa shteteve tjera të BE-së, ndonëse disa prej tyre kanë shprehur gatishmëri që të diskutohet edhe për ide të tilla.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG