Ndërlidhjet

Mësimdhënësit me COVID-19 s’ka kush t’i zëvendësojë


Mësimi online. Fotografi iluatruese
Mësimi online. Fotografi iluatruese

Mësimdhënësit në Kosovë po kërkojnë nga institucionet shëndetësore që të futën në listën me prioritet për vaksinimin kundër COVID-19, për shkak siç thonë, rrezikshmërisë për t’u infektuar, por edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor në nivel të duhur.

Të hënën më 12 prill, në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar dhe universitar, përjashtuar ciklin e ulët, nga klasa e parë deri të pestën, pas një jave pushimi, kanë filluar procesi i mësimor në formën online. Vendimi për zhvillimin e mësimit online, nga data 12 prill deri më 18 prill, e ka marrë Qeveria e Kosovës, si një nga masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Nxënësit nga klasat një deri në pesë, aktivitetin mësimor po e zhvillojnë me prani fizike në shkolla. Ndërkaq, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

Ndërsa, për javën e ardhshme vendimi për aktivitetin mësimor do merret varësisht prej rekomandimeve nga organet kompetente, por edhe në dakordim me të gjitha drejtoritë komunale, duke pasur parasysh rrethanat specifike të së cilës komunë, ka thënë në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Problemi i zëvendësimit të mësimdhënësve të infektuar

Kimete Dida, drejtoreshë në shkollën fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë, thotë se aktualisht në këtë shkollë, një mësimdhënës është i infektuar më koronavirus. Por, Dida tregon se tri javë më parë nëntë mësimdhënës kanë qenë të infektuar dhe kjo ka paraqitur problem në zëvendësimin e tyre.

“Për të pasur mundësi që procesi të zhvillohet në mënyrë normale, unë apeloj që të gjithë arsimtarët të vaksinohen, sikurse sektori i shëndetësisë edhe arsimi duhet të jetë prioritet. Ne e falënderojmë Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që kanë sjell studentë të Masterit dhe kemi arritur të zëvendësojmë kolegët që kanë qenë të infektuar më koronavirus ose ata që nuk punojnë qe një vit, për shkak të ndonjë sëmundjeje kronike”, thekson Dida për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarë të MASHTI-it deri në momentin e publikimit të këtij raporti, nuk kanë dhënë ndonjë informatë se sa është numri i mësimdhënësve të infektuar me koronavirus dhe në çfarë forme po realizohet zëvendësimi i tyre.

Edhe Isak Bregaj, drejtor në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, kërkon vaksinimin e arsimtarëve kundër koronavirusit, sepse siç po thotë ai, zëvendësimi i mësimdhënësve të prekur nga COVID-19 po shkakton probleme në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Zëvendësimi është problem sepse e kemi mësimdhënës që janë liruar nga puna nga Ministria e Arsimit që nga muaji shtator i vitit të kaluar dhe nuk kanë sjellë zëvendësim fare. Seriozisht është problem. Kemi disa mësime zgjedhore që po mundohemi t’i adaptojmë”, tha Bregaj.

SBASHK: Mësimdhënësit duhet të vaksinohen

Numri i mësimdhënësve që janë liruar nga puna me pagesë, për shkak të moshës dhe sëmundjeve kronike është afër 300, tha për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Ai tregon se ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që të imunizohen punëtorët arsimorë, në mënyrë që mësimi më pas të mund të zhvillohet nga objektet shkollore. Jasharaj tha se në nivel vendi, në sistemin e arsimit janë të përfshirë mbi 28 mijë punëtorë dhe nga ky numër, 23 mijë janë mësimdhënës.

“Ministri Vitia ka shprehur gatishmërinë që sektori i arsimit të jetë prioritet për vaksinim. Por, është mirë që vaksinimi në sektorin e arsimit të fillojë atëherë kur Qeveria e Kosovës të arrijë të sigurojë numrin e duhur për të vaksinuar të gjithë punëtorët e arsimit. Nuk do të ishte mirë të fillohet me vaksinim nëse nuk ka numër të mjaftueshëm për të gjithë punëtorët e arsimit, sepse në të kundërtën do të kemi selektime të cilat nuk i dëshirojmë”, tha Jasharaj.

Nagavci: Prioritet, mësimdhënësit e moshuar dhe ata me sëmundje kronike

Lidhur me vaksinimin e mësimdhënësve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur se prioritet do të jenë punëtorët e këtij sektori që janë më në moshë dhe ata me sëmundje kronike. Por, ajo nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të fillojë procesi i imunizimit të kësaj kategorie të shoqërisë.

“Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, kjo do të trajtohet me prioritet, duke i respektuar rekomandimet e organeve kompetente, duke pasur parasysh se cilat janë prioritetet në raport me vaksinimin e mësimdhënësve. Pra, prioritet do të kenë ata me sëmundje kronike dhe ata në moshë më të shtyrë”, është shprehur Nagavci.

Fillon vaksinimi në Kosovë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00

Por, në bazë të Planit shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 mësimdhënësit hyjnë në grupin me rrezik të lartë. Në bazë të këtij plani, ata do të vaksinohen në fazën e dytë, ku janë të përfshirë 17 për qind e popullsisë se përgjithshme, ku po ashtu bëjnë pjesë grupmoshat 65 deri 79 vjeç, personat me sëmundje kronike si dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë.

Në Kosovë, që nga fundi i muajit mars, është duke u realizuar procesi i vaksinimit kundër koronavirusit. Fillimisht, janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, kurse tashmë po vaksinohen edhe personat me sëmundje kronike dhe ata mbi moshën 80-vjeçare.

Më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këto vaksina, Kosova i mori falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe një ditë më pas, i pari që u vaksinua ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG