Një problem elektrik u raportua më 11 prill në uzinën bërthamore Natanz të Iranit, një ditë pasi Teherani langoi centrifuga të reja më të avancuara, që pasurojnë më shpejt uraniumin.
Ky është incidenti i fundit që ndodhi në një prej uzinave më të sigurta bërthamore të Teheranit dhe vjen në kohën kur shtetet nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, po tentojnë që në këtë pakt të rikthehet edhe Uashingtoni.
“Incidenti nuk ka shkaktuar viktima ose ndotje”, tha Behrouz Kamalvandi, zëdhënës i Organizatës së Energjisë Bërthamore të Iranit.
Vitin e kaluar, në ndërtesën bërthamore të Natanzit shpërtheu një zjarr dhe qeveria tha se kjo ishte një përpjekje për ta sabotuar programin bërthamor të Iranit.
Uzina nëntokësore e Natanzit, është ndërtesë kyçe, për programin iranian të pasurimit të uraniumit dhe monitorohet nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.
Izraeli, armiku rajonal i Iranit, dyshohet se ka kryer sulme në Natanz.
Irani po ashtu e ka fajësuar Izraelin se ka vrarë një shkencëtar që dekada më parë nisi programin bërthamor ushtarak të Iranit. Izraeli thotë se nuk ka kryer asnjë sulm edhe pse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu vazhdimisht e ka përshkruar Iranin si kërcënimin kryesor për shtetin e tij.
Incidenti në Natanz vjen në kohën kur ka përpjekje për ta ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Irani dhe fuqive bërthamore, tri vjet pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja. Trump më pas vendosi sanksione ndaj Republikës Islamike.
Në kundërpërgjigje ndaj këtyre vendimeve të Trumpit, Irani filloi të shkelte marrëveshjen. Teherani tani nuk respekton asnjë nga kufizimet për uranium të vendosura në këtë marrëveshje. Ky shtet, tashmë pasuron uranium në 20 për qind pastërti, një lëvizje kjo që e çon vendin drejt arritjes së nivelit për armë bërthamore.
Më herët gjatë javës, në Vjenë të Austrisë nisën bisedimet që kanë për qëllim që ta rikthejnë SHBA-në në marrëveshjen bërthamore si dhe që Irani ta respektojë këtë marrëveshje.
Më 10 prill, Irani njoftoi se ka lansuar në Natanz centrifuga të tipit 164 IR-6, duke i injektuar ato me uranium. Zyrtarët thanë se po ashtu kanë nisur testimin e centrifugës IR-9, e cila thonë se mund ta pasurojë uraniumin 50 herë më shpejt se centrifugat e gjeneratës së parë të Iranit, IR-1. Sipas marrëveshjes bërthamore, Irani lejohet të përdorë vetëm centrifugat IR-1 për pasurim të uraniumit.
Irani insiston se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore, por frika se Teherani mund të ketë bombë bërthamore, shtyri fuqitë botërore që të arrinin marrëveshjen bërthamore më 2015 me Republikën Islamike. Kjo marrëveshje mundësonte lehtësimin e sanksioneve ekonomike në këmbim të frenimit të programit bërthamor të Teheranit, si dhe lejimin që inspektorët ndërkombëtarë të vëzhgonin nga afër punën në uzinat në Iran.