Ndërlidhjet

Shënohet përparim në bisedimet për marrëveshjen bërthamore


Policia ruan hotelin në Vjenë ku janë mbajtur bisedimet për marrëveshjen bërthamore. Prill, 2021.
Policia ruan hotelin në Vjenë ku janë mbajtur bisedimet për marrëveshjen bërthamore. Prill, 2021.

Në raundin e parë të bisedimeve në Vjenë, që kanë për qëllim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, është shënuar përparim dhe bisedimet do të rikthehen javën tjetër.

Diplomatët më 9 prill i përshkruan si konstruktive bisedimet katërditore në Vjenë.

Bashkimi Evropian po ndërmjetëson këtë bisedime, të cilat kanë për qëllim që tejkalojnë dallimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe që të dyja palët t’i rikthehen zbatimit të plotë të marrëveshjes së arritur më 2015, e cila kishte për qëllim heqjen e sanksioneve ndaj Teheranit në këmbim të frenimit të programit bërthamor të Republikës Islamike.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka shprehur vullnetin e SHBA-së që të rikthehet në këtë marrëveshje. Më 2018, presidenti i atëhershëm, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Teheranit. Irani u përgjigj ndaj sanksioneve, duke mos respektuar shumicën e ndalesave që u parapanë në marrëveshje.

Edhe pse diplomatët amerikanë dhe ata iranianë nuk patën takime dypalëshe, palët e tjera të përfshirë në marrëveshje – Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia – ndërmjetësuan bisedimet me qëllim që të eliminohen dallimet.

Për të arritur një kompromis për këtë marrëveshje janë formuar dy grupe punuese. Një grup është i fokusuar se si SHBA-ja të heqë sanksionet dhe SHBA-ja t’i rikthehet marrëveshjes. Ndërsa grupi tjetër i ekspertëve është i fokusuar që të ndërtojë rrugën se si Irani do të zbatojë zotimet e marrëveshjes, ku përfshihen kufizimet në programin bërthamor dhe kufizimet mbi pasurimin e uraniumit dhe centrifugave.

BE-ja, pas përfundimit të bisedimeve më 9 prill tha se “pjesëmarrësit kanë theksuar vendosmërinë e tyre që të vazhdojnë përpjekjet diplomatike” dhe se një koordinator i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Josep Borrell “do të vazhdojë kontaktet e ndara me të gjithë pjesëmarrësit dhe SHBA-në”.

Irani po kërkon që të gjitha sanksionet e SHBA-së të hiqen duke thënë se pas kësaj Teherani do t’i rikthehet zbatimit të marrëveshjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG