Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka thënë të enjten se pas takimit me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin dhe kryetarin e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës Petrit Kllokoqin, janë pajtuar që sektorëve direkt, të ndikuar nga masat e reja për luftim të pandemisë, t’iu subvencionohen pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e qirasë për 50 për qind.
“Mjetet do të ndahen në fund të muajit prill, ose më së largu në fillim të muajit maj”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Rukiqi ka thënë mes tjerash se në takim është arritur pajtueshmëri që të merren veprime shtesë për sektorët tjerë, përfshirë atë të transportit.
Nga 7 prilli, kur kanë filluar të zbatohen masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit, e deri më 18 prill, bizneseve të gastronomisë u është ndalur puna.
Këtyre bizneseve u është mundësuar operimi vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, po ashtu është ndaluar edhe veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë më 7 prill në një konferencë për media se marrja e masave ka qenë e domosdoshme pasi situata me pandeminë është mjaft e rënduar dhe se sipas tij, ka qytetarë cilët ndonjëherë nuk arrijnë të marrin as trajtimin me kohë.
Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur janë raportuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 95,341 të infektuar.
Prej tyre 1,948 kanë vdekur.