Kryeministri bullgar Boyko Borisov ka njoftuar se synon të krijojë koalicion qeveritar pasi partia e tij e qendrës së djathtë ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të këtij shteti, ndonëse ka paralajmëruar se “ka pak gjasa të ketë sukses”.
Pas zgjedhjeve të 4 prillit, Partia GERB e Borisovit do të jetë partia me së shumti ulëse në parlament, mirëpo jo aq sa për të krijuar shumicën, pas fitores së 26.1 për qind të votave.
Në vend të dytë, me 17.7 për qind është partia e re, kundër udhëheqësisë, e formuar nga bullgari i famshëm i një emisioni televiziv Stanislav Trifonov, derisa Partia Socialiste është renditur e treta.
“Ne jemi të obliguar nga votuesit tanë, që na kanë renditur të parët, të propozojmë një mundësi. Nga komentet që kam dëgjuar, ka pak mundësi për sukses”, ka thënë Borisov më 7 prill. para kabinetit të tij në shkuarje.
Kryeministri Borisov ka thënë se ka gatishmëri për të mbështetur Trifonovin për të formuar qeverinë e re, në mënyrë që të shmangë zgjedhjet e reja, të cilat sipas tij, do të dëmtojnë përpjekjet për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
“Nëse ju duhem, unë jam gati që të sigurojë mbështetjen me 10 deputetë”, ka shtuar ai.
Ai i ka bërë këto komente pasi dy parti të vogla dhe socialistët kanë refuzuar ofertën e tij për të krijuar një kabinet teknokrat, për të udhëhequr shtetin deri në fund të vitit, për shkak të pandemisë.
Lëvizja e Trifonovit ka thënë se nuk do të arrijë marrëveshje për krijim të qeverisë me partinë GERB, atë Socialiste apo partinë tjetër MRF.
Borisov ka thënë se nëse rivalët duan zgjedhje të parakohshme, mënyra më e mirë është që të pajtohen për kushtetutë të re, e cila mund të adresojë ndryshimet në sistemin zgjedhor.
Borisov, 61-vjeçar, ka shërbyer si kryeministër prej vitit 2009, përveç një largimi të shkurtër nga zyra në periudhën 2013-2014.