Ndërlidhjet

Mësimdhënësit pa mjete për mësim online 


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Mësimdhënësve nuk u janë krijuar kushtet e duhura të zhvillojnë mësim online nga data 12 prill, si një nga masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, thotë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Me mbajtjen e mësimit online në formën se si organizohet në institucionet e arsimit në Kosovë, nuk po pajtohen as në Këshillin e Prindërve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që nga 12 prill deri më 18 prill, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.

Ndërkaq, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

Por, pas një takimi të mërkurën, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se me prani fizike do të mbajnë mësim edhe klasat 1 deri 5.

Rrahman Jasharaj, udhëheqës i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë tha për Radion Evropa e Lirë se mësimin do ta zhvillojnë online ashtu siç ka paraparë qeveria, por sipas tij, nuk ka kushte të kënaqshme për këtë formë të mësimit.

“Vitin e kaluar është parë që mësimi online është i vështirë për t’u organizuar, veçmas në Kosovë, ku kushtet nuk janë të duhura, qoftë mungon teknologjia e duhur, mësimdhënësit nuk janë të pajisur që të gjithë me laptop. Po ashtu ka edhe familje që jetojnë në pjesë që nuk janë të lidhur me internet dhe po ashtu ka familje që e kanë gjendjen e rëndë ekonomike dhe nuk kanë teknologji në shtëpitë e tyre”, thotë Jasharaj.

Në muajin mars të vitit të kaluar, kur ishte bërë mbyllja e shkollave në mbarë botën, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë familje mbështeteshin në mësimet online si mundësi për të vazhduar edukimin.

Një raport ndërkombëtar i Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) që kishte vlerësuar mësimin online, në atë kohë pati vënë në pah se për një në tre fëmijë në botë, nuk kishte qasje në ndonjë lloj mësimi në distancë.

Kualiteti i dobët i internetit vështirëson mësimin online

Jasharaj tregon se mësimin online po e bëjnë më të vështirë edhe problemet me internet. Ai thotë se ndodh që në disa fshatra interneti është i dobët dhe nxënësit nuk mund të kyçen në mësimet online.

Në tregun e komunikimeve elektronike në Kosovë, operojnë Telekomi i Kosovës, Ipko, Kujtesa, Artmotion, MTS doo, Ardi, Orange net, TelKos dhe të tjera.

Përdorimi i internetit viteve të fundit ka pasur rritje të madhe në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 93 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet.

Eksperti i çështjeve të telekomunikimeve, Driart Elshani kohë më parë pati thënë për Radion Evropa e Lirë se rënia e kualitetit të shërbimit të internetit është paraqitur pasi është rritur vrullshëm shfrytëzimi i shërbimit të internetit nga shumë institucione publike dhe private, për shkak të masave mbrojtëse të shkaktuara nga pandemia e koronavirusi.

Kushte vetëm për mësim në shkollë

Ndërkohë, Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se mësimi online do të mund të ishte më efikas, po që se interaktiviteti i nxënësve në mësim do të ishte më i madh gjatë orëve të mësimit onilne.

Por kjo, siç thotë Qehaja, kërkon mësimdhënës të përkushtuar dhe të përgatitur profesionalisht për metodologji efektive të mësimdhënies online, e që sipas tij, derisa të arrihet kjo do të nevojitet kohë dhe investim i të gjithë akterëve.

“Mësimi online vështirë se mund të jetë më efikas në situatën që jemi dhe me gjitha të metat e sistemit tonë arsimor, përfshirë këtu mungesën e përgatitjes së mësimdhënës, mungesën e qasjes në mësim dhe përqendrimin nga nxënësit, dhe mbi të gjitha mungesën e vetëdijesimit të komunitetit për mësimin online. Pra, dështimi në efikasitet të mësimit online nuk është befasues, por rikujtues për nevojën për reforma urgjente në arsim”, thotë Qehaja.

Ymret Reshitaj kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, ndërkaq thotë se nuk ka kushte për mësim online dhe vendimi i qeverisë duhet të rishikohet.

“Të mendojë edhe një herë sepse do të jetë dështim i procesit mësimor nëse nxënësit nuk kthehen me prezencë fizike në shkollë. Nga data 12 prill mësimi online nuk ofron asgjë dhe ne si prindër e marrim si përfundimit të vitit shkollor”, thotë Reshitaj.

Cilësia e dobët e arsimit në Kosovë

Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara.

Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në shtator të vitit të kaluar, ishte theksuar se kanë ngecje të lartë në mësimnxënie.

Ky raport pati vënë në pah se një fëmijë që e fillon shkollën në moshën 4 vjeç, mund të presë që të kryejë 13.2 vjet shkollim deri në ditëlindjen e vet të 18-të.

Por, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9. Pra, sipas Bankës Botërore, ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG