Ndërlidhjet

Opozita e cilëson si shantazh nismën për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kundërshtuar nisëm e partisë në pushtet, për ndryshimin, në procedurë të përshpejtuar, të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Këto parti kanë vlerësuar si të ngutshëm veprimin e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, që këtë nismë ligjore ta bëjë para zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

LDK-ja, e cila ka thënë se do të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit, e ka vlerësuar këtë nismë të LVV-së si “shantazh”.

“LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Përmes ndryshimeve ligjore, LVV-ja dëshiron që qytetarëve të Kosovës, që jetojnë jashtë vendit, t’u mundësohet votimi për zgjedhjet në ambasadat që Kosova ka në botë.

Më herët gjatë së premtes, Bedri Hamza nga PDK-ja tha se partia e tij nuk pajtohet që kjo çështje të trajtohet me urgjencë pa pasur mundësi që edhe institucionet e tjera, siç është Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shoqëria civile, të japin kontributin e tyre.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se ky ligj nuk është prioritet.

"Vetëm në sisteme totalitare, në sisteme ku ka deficite serioze të demokracisë, nxirret për amendamentin dhe ndryshim një ligj i cili rregullon të drejtën themelore për të qenë të zgjedhur dhe për të zgjedhur”, ka thënë ai.

LVV-ja ka thënë se nxjerrja e këtij ligji në kuvend, në ditën kur pritet të votohet për presidentin e ri, nuk është shantazh, por realizim i një premtimi elektoral.

Aktualisht, diaspora mund të votojë përmes postës, proces të cilit i paraprin faza e aplikimit dhe të verifikimit të të drejtës së votimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG