Ndërlidhjet

Kthimi i kredive bëhet më i vështirë për qytetarët  


Maqedoni e Veriut: para dhe kartela bankare në Shkup; e padatuar
Maqedoni e Veriut: para dhe kartela bankare në Shkup; e padatuar

Qytetarët dhe kompanitë të cilat shfrytëzuan masën anti krizë të qeverisë që ka të bëj me prolongimin e pagesës së kësteve të kredive, nga fillimi i këtij muaji do të duhet të rifillojnë pagesën e rregullt të tyre.

70 për qind e qytetarëve dhe kompanive të cilët kishin marr kredi, e shfrytëzuan masën e qeverisë që të prolongojnë pagesën e kësteve në një afat prej gjashtë muajsh, përkatësisht nga 1 prilli deri më 30 shtator.

Kjo masë e qeverisë, më pas u vazhdua edhe për 6 muaj të tjerë, por shfrytëzuesit duhej të plotësonin kritere më rigoroze, gjegjësisht të jepnin dëshmi se të ardhurat u janë pakësuar si pasojë e krizës së pandemisë.

Prolongimin e dytë të pagesës së kësteve të kredisë, e shfrytëzuan 7.4 për qind e marrësve të kredive, duke prolonguar pagesën e kësteve nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 1 prill të këtij viti.

Por për këtë kategori të qytetarëve, vazhdimi i pagesës së kësteve të kredisë, që tashmë është bërë i obliguar, bëhet shumë i vështirë, pasi këstet e kredive tanimë janë bërë më të larta, meqë në to është përfshirë edhe norma e interesit gjatë periudhës një vjeçare, gjersa ata nuk kanë paguar këstet.

Simona Cvetkovska, thotë për Radion Evropa e Lirë se pagesa e kësteve të dy kredive konsumatorë që ka marr ajo bashkë me bashkëshortin, është bërë më e vështirë si rrjedhojë e zvogëlimit të të ardhurave në buxhetin e familjes, për shkak të zvogëlimit të orarit të punës ku ishte e angazhuar në sektorin e hotelerisë.

Ajo bën të ditur se tani ka marr njoftim nga banka se duhet të paguajë këste më të larta, sepse në to është përfshirë edhe norma e interesit nga muajt që nuk është paguar asgjë.

“Pas katër muajve që nuk paguam kredinë, kërkuam të vazhdojmë me pagesën e kësteve, por nga banka na u tha se duhet të paguajmë 12 mijë denarë (200 euro), për të mbuluar kamatën për kredinë që kemi marr për banesën dhe më pas të vazhdojmë me pagesën e rregullt të kësteve, ose kjo vlerë të ndahet në këstet e mbetura. Pra, me pak fjalë, tani na bie të paguajmë më shumë”, thotë Cvetkovska.

Përderisa Shefkije Ahmeti, edhe pse ka pasur shumë vështirësi gjatë kësaj periudhe, ka vazhduar me pagesën e kësteve të banesës, duke marrë hua nga miqtë, meqë pas konsultimeve me bankën komerciale, ka kuptuar se prolongimi i pagesës së kredisë nuk pezullon dhe rritjen e kamatës përkatësisht normës së interesit.

“Pavarësisht problemeve financiare që mu shfaqën gjatë pandemisë, vendosa të vazhdoj me pagesën e kësteve për kredinë që kam për banesën, sepse pas skadimit të afatit, pra lirimit nga pagesa (e kësteve), mësova se këstet bëhen më të larta si pasojë e njehsimit të kamatës për një vit sa do zgjaste prolongimi dhe kështu do e kisha edhe më të vështirë”, thotë Shefkije Ahmeti, duke theksuar se nuk paraqet aspak lehtësim nëse për një gjë të caktuar duhet të paguash edhe më shumë.

Në bazë të të dhënave nga Banka Popullore, gjatë vitit 2020, me shpërthimin e pandemisë, bankat komerciale të vendit kanë përfituar 168 milion euro, para këto nga pagesa e kamatave dhe nga kreditë e mara nga qytetarët, përderisa nga kamatat e kredive të marra nga kompanitë, kanë përfituar 101 milion euro.

Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet gjetur një modalitet që t’i ndihmohet kësaj kategorie të qytetareve, në të kundërtën, shton ai, do të rritet risku i likuiditetit të këtyre kredive.

“Si opsion i vetëm për momentin, mbetet që kjo masë të vazhdohet edhe më tej, të paktën deri në fund të këtij viti, sepse akoma nuk po i shihet fundi pandemisë. Dhe nga ana tjetër edhe pasi të ndjehen efektet pozitive nga imunizimi i popullatës, të jepet një afat prej tre apo katër muajve që kompanitë të mund të rimarrin veten dhe këta persona të mund të kenë paga të rregullta, që nuk do varej nga ndihmat e shtetit që të mund të shlyejnë detyrimet ndaj bankave”, thekson Arben Halili duke shtuar se duhet një analizë e thukët e gjendjes financiare të kësaj kategorie të qytetarëve, dhe me të të gjendet një modalitet për ndihmë derisa të stabilizohet gjendja ekonomike.

Por Zoran Ivanovski, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, për Radion Evropa e Lirë thotë se në këto rrethana nuk sheh asnjë mundësi se si shteti do të kishte mundësi ta ndihmoj këtë kategori të qytetarëve.

"U mbetet qytetarëve që në mënyrë individuale të gjinden përkatësisht në mënyrë inovative të gjenjë mjete për të servisuar obligimet që kanë ndaj bankave, tjetër mënyrë nuk ka”, thotë Ivanovski.

Analizat e Bankës Popullore, kanë nxjerrë në pah që prolongimi i pagesës së kësteve, ka rritur dhe rrezikun për zmadhimin e kredive jo funksionale që njihen si kredi të këqija.

Tani çdo kredi për tu llogaritur se është jo funksionale, afati shtyhet nga 90 ditë në 150 ditë, e gjithë kjo bëhet që qytetarët por edhe kompanitë të kenë kohë shtesë të ballafaqohen, perkatësisht te menaxhojnë me vështirësitë që solli kriza e pandemisë së koronavirusit të ri”, ka theksuar Anita Angellkovska Bezhovska, guvernatore e Bankës Popullore.

Pakoja e pestë e masave anti krizë që ka për qëllim të ndihmoj kompanitë e prekura nga kriza, duke iniciuar ruajtjen e vendeve të punës, mbetet e bllokuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kjo rrit edhe më shumë rrezikun që një pjesë e qytetarëve,, të mos mund të servisojnë detyrimet ndaj bankave, pasi ndihma e shtetit vonohet.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG