Ndërlidhjet

Gjatë majit, Kosova merr edhe mbi 76 mijë doza të vaksinës


Kosova ka pranuar dozat e para të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit më 28 mars, 2021.
Kosova ka pranuar dozat e para të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit më 28 mars, 2021.

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, njoftoi se Kosova do të furnizohet me 76,800 doza shtesë të vaksinës kundër COVID-19 gjatë muajit maj.

Kosova nisi të hënën fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, pasi të dielën pranoi 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim. UNICEF ndihmon në shpërndarjen e vaksinave në këto vende.

Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi në imunizim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

Të martën, shefja për imunizim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Edita Goranci-Haxhiu, tha se deri 70 % e popullatës parashihet të vaksinohet deri në fund të vitit, varësisht prej dërgesave të vaksinave.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, tha se vaksinimi do të ndihmojë në uljen e shkallës së të infektuarve, por kjo do të marrë kohë.

“Jemi në situatë të rëndë, mbi 900 pacientë po trajtohen, 37 në gjendje kritike dhe rreth 700 me oksigjen- terapi”, tha Krasniqi.

Në Federatën e Sindikalistëve të Shëndetësisë në Kosovë kanë shprehur më herët dyshime se vaksinimi i qytetarëve do të mund të realizohet në mënyrë të drejtë, sidomos kur është fjala për personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.

Kryetari i kësaj Federate, Blerim Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka statistika të detajuara shëndetësore për grupet e rrezikuara, pasi, sipas tij, Sistemi i Informimit Shëndetësor nuk funksionin siç duhet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG