Ndërlidhjet

BE-ja shtrëngon eksportin e vaksinave, përfshihet edhe Ballkani


Vaksina e AstraZeneca-s kundër koronavirusit.
Vaksina e AstraZeneca-s kundër koronavirusit.

Bashkimi Evropian ka vendosur që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’iu nënshtrohen parimeve të reja në lidhje me importin e vaksinave kundër COVID-19.

Të mërkurën, Komisioni Evropian ka prezantuar kriteret e reja që do të merren parasysh për autorizimin e eksporteve të vaksinave kundër COVID-19.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Komisioni, qëllimi i kësaj mase është t'u sigurojë qytetarëve të BE-së qasje me kohë në vaksina.

Deri më tani, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë të përjashtuara nga mundësia e kufizimit të importit të vaksinave nga BE-ja, mirëpo prej tash kjo nuk do të vlejë më për këto vende.

Masat u morën, siç u tha, me qëllim të kontrollit të eksporteve.

Praktikisht, vendet e Ballkanit Perëndimor janë në listën e vendeve për autorizimin e eksportit të vaksinave, njoftoi Komisioni Evropian të Mërkurën (24 mars), por ato duhet të përmbushin parimet e reciprocitetit të cilat janë vendosur nga BE-ja në mënyrë që të fitojnë të drejtën e importit të vaksinave.

Me aeroplanë dhe trena, bota shpërndan vaksinat
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:30 0:00

Bazuar në rregullat e reja, BE-ja vendos se kur i lejohet një vendi të importojë vaksina nga blloku.

Në listën e vendeve që do të vlejnë rregullat e reja, ndër të tjera, janë: Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, dhe Bosnje dhe Hercegovina. Në dokument nuk përmendet Kosova.

Nënpresidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, tha se ky nuk është një ndalim i plotë i eksportit të vaksinave, por një përpjekje për të kontrolluar eksportin.

Çfarë parashohin rregullat e reja?

Nëse një vend bën kërkesë për furnizim me vaksina nga BE-ja, atëherë shtetet anëtare dhe Komisionit Evropian e vlerëson nëse eksporti i kërkuar nuk paraqet kërcënim për sigurinë e furnizimit të vaksinave dhe përbërësve të tyre në BE.

Si ishte situata e mëparshme?

Më herët Komisioni Evropian kishte miratuar një mekanizëm për të ndaluar eksportin e vaksinave jashtë BE-së, pa miratim paraprak, pasi një nga prodhuesit e vaksinave, AstraZeneca, bëri furnizim dukshëm më të ulët me vaksina sesa ishte rënë dakord në kontratën me BE-në.

Sidoqoftë, në atë kohë për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk vlenin këto rregulla.

Rregullat nuk vlejnë për mekanizmin COVAX

Megjithë kriteret e reja të vendosura më 24 mars, BE-ja thotë se mbetet e përkushtuar ndaj solideritetit ndërkombëtar dhe për këtë arsye do të vazhdojë të përjashtojë nga kjo skemë furnizimet e vaksinave për ndihmë humanitare ose të destinuara në 92 vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që gjenden ne listën e programit global për furnizim me vaksina COVAX.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG