Ndërlidhjet

Ndikimi i rivalitetit SHBA-Kinë në rajonin e Euroazisë


Më 18 dhe 19 mars, SHBA-ja dhe Kina kanë zhvilluar bisedime të tensionuara për një varg çështjesh. Takimi është mbajtur në Alaskë dhe ka qenë i pari i nivelit të lartë prejse presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën në janar.
Më 18 dhe 19 mars, SHBA-ja dhe Kina kanë zhvilluar bisedime të tensionuara për një varg çështjesh. Takimi është mbajtur në Alaskë dhe ka qenë i pari i nivelit të lartë prejse presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën në janar.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një rivalitet gjithnjë e më të ashpër dhe konkurrenca e tyre në rritje pritet të reflektojë ndryshe-ndryshe në vendet e Euroazisë.

Këto dy fuqi botërore kanë një qasje të veçantë strategjike në këtë rajon, krahasuar me pjesët e tjera të botës.

Tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit kanë dalë dukshëm në pah në Alaskë, më 18 dhe 19 mars, gjatë një takimi të zyrtarëve të lartë kinezë dhe amerikanë.

Bisedimet e nivelit të lartë midis dy ekonomive më të mëdha në botë - të parat qëkur presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën në janar - janë shoqëruar me kritika të mprehta nga secila palë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i shoqëruar nga këshilltari për siguri kombëtare, Jake Sullivan, ka kritikuar ashpër qëndrimin gjithnjë e më luftarak të Kinës ndaj Tajvanit, internimin e pakicave myslimane në provincën e saj perëndimore Ksinjiang, kufizimin e demokracisë në Hong Kong dhe veprime të tjera.

Yang Jiechi, i dërguari më i lartë i udhëheqësit kinez, Xi Jinping, i cili ka përfaqësuar Pekinin në Alaskë së bashku me ministrin e Jashtëm, Wang Yi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë një “mentalitet të Luftës së Ftohtë” dhe se përpiqen “t’i nxisin” vendet e tjera për të sulmuar Kinën.

Ai ka kritikuar ashpër zyrtarët amerikanë për, siç ka thënë, problemet racore.

Episodi i zjarrtë diplomatik u ka dërguar mesazh vendeve të tjera, që tashmë lundrojnë në tensionet e fuqive botërore, se ato duhet të përgatiten për një mjedis edhe më sfidues në vitet e ardhshme.

Për vendet e ndryshme të Euroazisë - që shtrihen nga Evropa Lindore në Azinë Qendrore dhe Jugore - llogaria mund të dalë ndryshe.

Kina ka rritur ndikimin ekonomik në rajon dhe shumë analistë besojnë se ajo do të tërheqë më shumë vëmendje.

“Euroazia nuk është në qendër të konkurrencës SHBA-Kinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Daniel Markey, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, i përqendruar në Azinë Jugore.

“Kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë një rajon i rëndësishëm për t'u parë, por konkurrenca më e mprehtë po zhvillohet më afër brigjeve lindore të Kinës, jo oborrit të tij perëndimor”, thotë ai.

Brigjet lindore vs. “oborri perëndimor”

Zyrtarët amerikanë janë takuar me aleatët në Japoni dhe Korenë e Jugut, në prag të takimit në Alaskë, për t’i riafirmuar lidhjet e tyre dhe për t’u koordinuar më mirë për çështjen e Kinës.

Ekonomia e Kinës i ka rezistuar një lufte tregtare me administratën e ish-presidentit amerikan, Donlad Trump, dhe është rikthyer fuqishëm nga goditjet që ka sjellë pandemia e koronavirusit.

Kjo ka ndodhur pjesërisht për shkak të pranisë së zgjeruar të Kinës në të gjithë Euroazinë, që është mundësuar përmes Nismës së Brezave dhe Rrugëve.

Kjo nismë financon projekte infrastrukturore në të gjithë rajonin dhe, në të njëjtën kohë, rrit ndikimin politik dhe ekonomik të Kinës.

“Ajo që po bën Pekini në të gjithë Euroazinë, është domethënëse dhe do të ketë rezultate, nëse mund t’i përmbushë qëllimet e saj, por kjo nuk është një arritje e lehtë”, thotë Markey.

Derisa Azia Lindore është ende një rajon që e karakterizon prania ushtarake amerikane, Euroazia është një rajon i komplikuar i vendeve, që paraqesin një mjedis politik shumë më pak armiqësor për Pekinin.

Kjo është pjesërisht ajo që e ka motivuar zgjerimin e Kinës në perëndim, përmes Nismës së Brezave dhe Rrugëve. Atje, Kina ka hasur në qeveri të etura për kapitalin kinez dhe në një zonë ku Shtetet e Bashkuara kanë mbyllur bazat ushtarake.

“Kina ka pasur dëshirë që t’i shmangë konfrontimet e hapura me Perëndimin, andaj strategjitë kineze kanë ndjekur mundësitë në të gjithë Euroazinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Edward Lemon, ekspert i Azisë Qendrore në Universitetin A&M të Teksasit.

“Kina do të vazhdojë të rrisë rolin e saj në rajon, veçanërisht kur [Shtetet e Bashkuara] po vazhdojnë tërheqjen nga Afganistani”, shton ai.

Interesat euroaziatike

Përfshirja amerikane, në anën tjetër, është shumë më ndryshe. Irani është një çështje kryesore për administratën e Bidenit, por rajonet e tilla si Azia Qendrore nuk janë përparësi politike për Uashingtonin.

Përfshirja dhe interesat amerikane në Azinë Qendrore janë rritur dhe zbehur që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Rajoni, edhe një herë, është duke marrë më shumë vëmendje, pasi Uashingtoni i sheh Kinën dhe Rusinë si dy rivalët kryesorë në skenën globale, por ai nuk duket i gatshëm të konkurrojë me xhepat e thellë të Kinës.

Një çështje që mund të marrë më shumë vëmendje është rajoni Ksinjiang, ku Qeveria kineze thuhet se ka burgosur mbi një milion ujgurë dhe pakica të tjera myslimane në kampe internimi.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore janë bërë gjithnjë e më të zëshme sa u përket këtyre kampeve. Më 22 mars, Bashkimi Evropian ka sanksionuar disa zyrtarë kinezë, për shkak të veprimeve të Pekinit në Ksinjiang.

Në vitet e fundit, Pekini ka rritur mbikëqyrjen në rajonin e tij perëndimor, i cili ndan kufi me Kazakistanin, Kirgizinë dhe Taxhikistanin, si dhe ka rritur goditjen brutale ndaj pakicave myslimane.

Pesha e këtyre përpjekjeve është përqendruar në popullsinë ujgure të Kinës, por kazakë dhe kirgizë kanë përfunduar gjithashtu në kampe - gjë që ka dëmtuar imazhin e Kinës në rajonin e gjerë.

“Azia Qendrore nuk është një fushëbetejë për rivalitetin SHBA-Kinë, por nuk do të jetë e lehtë [për të mos u përfshirë], duke marrë parasysh se marrëdhëniet janë aq të dobëta dhe konkurrenca [midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës] po rritet”, thotë Nargis Kassenova, eksperte në Harvard, e cila përqendrohet në rolin e Kinës në rajon.

Por, përkundër rivalitetit të thelluar midis Pekinit dhe Uashingtonit dhe një klime më të vështirë politike, asnjëra palë nuk ka shumë interes për të ndryshuar qasjen tradicionale në Azinë Qendrore dhe më gjerë.

Sipas Kassenovas, trajtimi i presioneve në rritje do të jetë gjithnjë e më i vështirë për vendet e vogla, pasi ato duhet të merren edhe me Rusinë, e cila po afrohet gjithnjë e më shumë me Kinën, pasi lidhjet e saj me Uashingtonin janë në nivelin më të ulët të parë ndonjëherë.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG