Ndërlidhjet

Dënohen me burg dy të akuzuar për krime lufte në Kosovë


Një burrë lutet pranë varrezave të Reçakut, ku forcat serbe kanë vrarë dhjetëra civilë shqiptarë gjatë luftës së vitit 1999 - (fotografi ilustruese).
Një burrë lutet pranë varrezave të Reçakut, ku forcat serbe kanë vrarë dhjetëra civilë shqiptarë gjatë luftës së vitit 1999 - (fotografi ilustruese).

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Zllatan Kërstiqin dhe Destan Shabanajn për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare në fshatin Nerodime të Komunës së Ferizajt.

Kërstiq u dënua me 14 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Shabanaj me shtatë vjet.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën kundër tyre më 8 janar të vitit 2020, për, siç ka thënë, kryerje të veprës penale: krime të luftës kundër popullatës civile.

Kryetari i trupit gjykues tha se të dënuarit, si pjesëtarë të forcave policore serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë më 1999, i kanë shkelur rëndë rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civilë.

Kërstiq u akuza se, më 26 mars, 1999, ka marrë pjesë drejtpërdrejt në sulmin kundër civilëve shqiptarë në Nerodime dhe në dëbimin dhe robërimin e personave që nuk kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në konfliktin e armatosur në Kosovë.

Kërstiq po ashtu u akuzua për pjesëmarrje në abuzim, torturë, gjymtim dhe vrasje të viktimave me armë zjarri, si dhe për hedhjen e trupave të viktimave, për të mbuluar krimin.

Destan Shabanaj, në anën tjetër, u akuzua se, më 1 prill, 1999, në cilësinë e inspektorit të policisë në fshatin Babush, Komuna e Ferizajt, ka marrë pjesë në përdhosjen e eshtrave të civilëve shqiptarë.

“Trupat e tyre u hodhën në një varr masiv”, u tha gjatë leximit të vendimit.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1999, janë vrarë rreth 13,500 njerëz.

Pas përfundimit të saj, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e tyre, ndërsa të zhdukur vazhdojnë të mbeten edhe rreth 1,600 vetë, kryesisht shqiptarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG