Ndërlidhjet

Kurti: Osmani duhet të jetë presidente e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti tha se Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë Vjosa Osmanin në postin e presidentit, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pas seancës ku mori besimin e deputetëve për ta udhëhequr ekzekutivin, Kurti tha se tani duhet të pritet që të zëvendësohen deputetët që u zgjodhën ministra dhe të procedohet me zgjedhjen e presidentit.

Ai tha se për zgjedhjen e saj duhet të bëhen të gjithë bashkë, pavarësisht se partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur kundërshtinë e tyre për zgjedhjen e Osmanit në postin e presidentit.

“Jeta politike e zonjës Osmani, dinjiteti, përgjegjësia me të cilën ajo ka përfaqësuar qytetarët në secilën pozitë institucionale dhe së fundmi mbi 300 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, unë besoj se e kanë paraqitur para pozitës dhe opozitës, para të gjithë deputetëve, neve si qeveri se Vjosa Osmani duhet të jetë presidente e re e Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Osmani, ish-zyrtare e lartë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo është personi më i votuar në këto zgjedhje.

Ish-partia e saj, LDK-ja ende nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë atë apo jo për postin e presidentit.

Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, që prej se më 5 nëntor, 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kreu i shtetit, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas Kushtetutës, vendi mund të udhëhiqet me ushtrues detyre vetëm për gjashtë muaj. Nga 22 marsi, këtë post po e ushtron kryetari i ri i kuvendit, Glauk Konjufca.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG