Ndërlidhjet

​​​​​​​Lista Serbe: Nuk e mbështesim qeverinë e Kurtit


Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq.
Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, thotë se nuk e mbështet votimin e qeverisë së mandatarit, Albin Kurtit, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq tha se Kurti me “në mundësinë e parë për veprim ka shkelur Kushtetutën”. Sipas tij, Listës Serbe i takojnë dy ministri, meqenëse, sipas tij, ajo i ka 11 deputetë. Simiq tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, ku pritet të zgjedhet Qeveria e re e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kreun e partisë, Albin Kurtin për postin e kryeministrit.

Në ekspozenë e tij para deputetëve, Kurti tha se në këtë seancë do të jetësohet “vullneti i qytetarëve” që votuan në zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat ai i cilësoi si referendum.

Kurti tha se drejtësia, shëndetësia e arsimit kanë nevojë për reforma.

Në prezantimin e kabinetit qeveritar para deputetëve Kurti bëri të ditur se për Listën Serbë është ndarë udhëheqja e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Në Kosovë tri ministri iu ndahen pakicave, siç edhe parashihet me Kushtetutë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG